Zülfiya Yakup
17 Maj 2016•Përditësim: 17 Maj 2016
PRISHTINË (AA) - Konferenca e nivelit të lartë për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës për "Nxitje ekonomike, rritje dhe punësim" u hap sot në mëngjes në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Konferencën e hapi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Kosovën. Ai vuri në dukje se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) Kosova ka lidhur marrëdhënien e parë kontraktuale me BE-në, si dhe detyrimet dhe përfitimet.
"MSA-ja do të ndikojë në besimin e investitorëve për të investuar në Kosovë, që do të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik. Askush nuk mund të thotë se Kosova është ideale, por muret që na kanë ndarë në të kaluarën janë shkatërruar dhe kemi gjetur çelësin e dialogut. Me angazhimin tonë do të rrisim besimin e qytetarëve në vendin tonë",- u shpreh Thaçi.
Ai theksoi se Kosova do të vazhdojë reformat në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Johannes Hahn, komisioneri evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe të Zgjerimit tha se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është moment historik për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe se më këtë është konfirmuar e ardhmja evropiane e Kosovës. Hahn vuri në dukje se hyrja në fuqi e MSA-së paraqet një mundësi për zhvillim më të madh ekonomik të Kosovës.
"Kjo është një periudhë e tranzicionit, dhe jo e pritjes. MSA-ja është një kornizë për marrëdhëniet tona dhe tani është koha që të intensifikojmë përpjekjet tona për të shfrytëzuar më të mirën që ofron kjo",- tha Hahn.
Komisioneri evropian theksoi se MSA-ja nuk mund të zgjidhë problemet e brendshme të Kosovës dhe u bëri thirrje partive politike që të bisedojnë për tejkalimin e problemeve për të ardhmen e vendit.
Kryeministri Isa Mustafa, tha se Bashkimi Evropian është partneri më i rëndësishëm ekonomik i Kosovës, dhe se MSA-ja nënkupton zhvillimin ekonomik. Kryeministri tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë reformimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.