Nazmi Abduramani
20 Shtator 2016•Përditësim: 20 Shtator 2016
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në New York ka zhvilluar një takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim, siç njoftojnë nga kabineti presidencial i Ivanovit, është biseduar për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë, si dhe për sfidat të cilat dalin nga kriza migratore dhe e refugjatëve, veçmas aspekti i sigurisë.
Ivanov theksoi se Republika e Maqedonisë do ta vazhdojë procesin reformues, me qëllim të arritjes së standardeve dhe kritereve evropiane dhe do të vazhdojë të kontribuojë për bashkëpunimin rajonal, në mbajtjen e stabilitetit dhe prosperitetet të rajonit të Evropës Juglindore.
Republika e Maqedonisë, theksoi presidenti Ivanov, kërkoi kushte të barabarta dhe të drejta nga lidershipi evropian dhe nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe pret që të zbatohet shembulli pozitiv i lëvizjes paralele në integrimin dhe në tejkalimin e çështjeve të hapura bilaterale.
“Edhe përkundër sfidave me të cilat përballet Unioni, si dhe vet procesi i zgjerimit, Republikës së Maqedonisë, si dhe tërë rajonit të Evropës Juglindore i nevojitet integrimi i përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sepse kjo është mënyra më e shpejtë për konsolidimin e plotë të rajonit, me çka nga ana tjetër, do të konsolidohet edhe Bashkimi Evropian”, theksoi Ivanov.
Në kontekst të sfidave lidhur me krizën migratore-refugjatëve, presidenti Ivanov theksoi se Republika e Maqedonisë angazhohet për zgjidhje gjithëpërfshirëse evropiane, që do të përfshijë kritere të përbashkëta për përballje me krizën e migrantëve. Në këtë drejtim, bashkëfolësit konstatuan se është i nevojshëm aksion urgjent i koordinuar dhe sinkronizuar i të gjitha shteteve të prekura.
Presidenti i Maqedonisë theksoi se Republika e Maqedonisë ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet për mbrojtje të kufijve shtetëror dhe për ruajtjen e sigurisë nacionale, me këtë rast duke pasur parasysh detyrimin për trajtim human të refugjatëve.