Sibel Vezaj
20 Shtator 2016•Përditësim: 20 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot priti në takim gjeneralin Mike Jackson, komandant i parë i KFOR-it në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeparlamentari Veseli, gjatë fjalimit të tij i shprehu mirënjohjen gjeneralit Mike Jackson, duke theksuar se ai është gjenerali i lirisë së Kosovës, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në momentet më të rënda të këtij vendi.

“Sot 17 vite më pas kemi shtetin tonë të pavarur dhe sovran, demokracia jonë po funksionon. Kosova shumë shpejtë do ta ketë ushtrinë e saj, e cila do të bëhet në transformim me partnerët tanë perëndimor, siç janë SHBA-të dhe anëtarët e NATO-s. Synimi ynë është që shumë shpejtë të lëvizim në hapat e sigurta drejtë anëtarësimit në NATO, ashtu siç është edhe synimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Veseli.
Ai shtoi vendosmërinë për ruajtjen e demokracisë së vendit, duke mbrojtur lirinë e çdo komuniteti dhe çdo religjioni në Kosovë.
Ndërkaq gjenerali Jackson, gjatë fjalimit theksoi kënaqshmërinë e tij që ndodhet në Kosovë pas shumë vitesh, duke theksuar progresin dhe zhvillimin e vendit pas një periudhe tejet të vështirë.
“Nuk do të zgjasë gjithmonë kjo situatë sa i përket shndërrimit të ushtrisë mirëpo nuk e di mund të them me saktësi se kur do të ndryshojë kjo gjë. Unë do të dëshiroja shumë që shumë shpejt Kosova të kishte ushtri. Mirëpo kjo padyshim që është një objektiv që Kosova duhet ta arrijë”, u shpreh Jackson.
Më pas ai përkujtoi se Rezoluta 1244 e KB-ve, që për të teksa ishte në krye të KFOR-it ka qenë si Bibël, ende vlen dhe se Kosova nuk mund plotësisht të jetë e pavarur, sepse sipas kësaj resolute në Kosovë doemos duhet të qëndrojnë edhe ushtarët ndërkombëtarë të KFOR-it.
Gjenerali Sir Michael David Jackson, sot do të takohet edhe me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të dekorohet nga presidenti me medaljen ushtarake për kontributin e dhënë në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.