Sibel Vezaj
26 Gusht 2016•Përditësim: 27 Gusht 2016
PRISHTINË (AA)- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka marrë vendim për fillimin e hetimeve lidhur me dy vepra penale kundër deputetit dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovcit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Prokuroria e shtetit bëhet e ditur se vendimi është marrë duke u bazuar në dyshimet se i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.
“Sipas njohurive të deritanishme të Prokurorit të Shtetit, Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave”, thuhet në njoftim nga Prokuroria.
Duke u dyshuar se ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga prokuroria thuhet se dyshohet se Grabovci ka bërë këtë vepër në bashkëkryerje me persona të tjerë, të paidentifikuar deri më tani. Ai gjithashtu dyshohet se në bashkëveprim ka kryer edhe veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Prokuroria bën të ditur se dyshohet që Grabovci në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, duke dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Kosovës.
Hetimi i Grabovcit ka filluar pas publikimit të përgjimeve të bisedave telefonike të tij në mediat vendore, dhe në bazë të provave të pranuara nga EULEX-i. Prokuroria bën të ditur se në ndjekjen penale të prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat e tjerë, për të cilët do të vërtetohet se kanë bashkëpunuar me Grabovcin.
Si rezultat i publikimit të këtyre përgjërimeve, qytetarët e Prishtinës disa ditë me radhë kishin organizuar protesta kundër korrupsionit. Ndërkohë Adem Grabovci, pas publikimit të këtyre përgjërimeve, një javë më parë kishte dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.