Can Erözden
20 Nëntor 2015•Përditësim: 21 Nëntor 2015
ANKARA (AA) - Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka nisur një hetim rreth financave të klubit futbollistik turk Fenerbahçe, njoftuan të premten nga klubi turk, raporton Anadolu Agency (AA).
Hetimi i organit të futbollit evropian po realizohet në bazë të regullave financiare të “fair play”-it që përcaktojnë shpenzimet e një klubi për lojtarë.
Në një deklaratë në ueb faqen e tij, klubi nga Stambolli shkruan se janë ngrirë të gjitha të ardhurat nga kompeticionet e UEFA-s, për aq kohë sa do të vazhdojë hetimi.
Fenerbahçe, që është një nga klubet e “Treshes së Madhe” bashkë me Galatasarajin dhe Beshiktashin, shpenzoi shuma të mëdha për të siguruar këtë verë nënshkrimet e dy lojtarëve, holandezin Robin van Persie dhe yllin portugez Luis Nani.
Nëse konstatohet se klubi ka shkelur rregullat e “fair play”-it do të përballet me ndëshkime të mëdha, madje edhe me përjashtim nga garat evropiane.
Rregullat e lartpërmendura për herë të parë u prezentuan në vitin 2011 në mënyrë që klubet të mos hasin në vështirësi financiare duke shpenzuar më shumë se sa që fitojnë.