Fatjon Cuka
05 Prill 2017•Përditësim: 05 Prill 2017
TIRANË (AA) - Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, Petrit Vasili ka pritur sot në një takim ministrin britanik të Shtetit për Sigurinë, Ben Wallace. Në një njoftim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë thuhet se qëllimi i kësaj vizite lidhet me nënshkrimin e “Marrëveshjes së Ekstradimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut”, akt ky që plotëson kuadrin ligjor midis dy vendeve në zbatim të Konventës Evropiane për Ekstradimin të vitit 1957, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në përfundim të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes nga Vasili dhe Wallace, ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, vlerësoi rëndësinë e saj në drejtim të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një mekanizëm më shumë në duart e agjencive ligjzbatuese që do të mundësojë intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe vënien përpara drejtësisë të subjekteve kriminale të shpallur në kërkim prej vitesh, të cilët nuk mund të ekstradoheshin reciprokisht deri më sot, për shkak të barrierave ligjore”, theksoi ministri Vasili, thuhet në njoftim.
Ministri i britanik, Eallace, u shpreh se “Nënshkrimi i marrëveshjes do të bëjë të mundur ekstradimin e shtetasve shqiptar, nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo do të sigurojë që ata të cilët kryejnë vepra të rënda penale në Mbretërinë e Bashkuar dhe largohen nga vendi, të vihen para drejtësisë. Kjo është dëshmi e mëtejshme e rritjes së bashkëpunimit tonë me Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar."
Sipas Ministrisë së Drejtësisë kjo marrëveshje gjithashtu është nënshkruar në kuadër të zbatimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale për Luftën Kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve të Paligjshme dhe Terrorizmit 2013-2020 dhe detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.