Fatjon Cuka
01 Prill 2016•Përditësim: 02 Prill 2016
TIRANË (AA) - Ministria e Zhvillimit Urban të Shqipërisë ka prezantuar sot strategjitë e zhvillimit të territorit për bashkitë në vend. Në takimin ku kanë marrë pjesë përfaqësues dhe zyrtarë të lartë nga disa ministri në vend, strategjitë janë prezantuar nga ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja Gjermani në fjalën e saj u shpreh se nga 61 bashki gjithsej, 26 po mbështetën me ndihmë nga Qeveria Shqiptare për hartimin e planeve vendore. Sipas saj këto plane shërbejnë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për tërheqjen e investimeve.
“Për sa i përket procesit të planifikimit, jo gjithmonë i është dhënë rëndësia e duhur, dhe qeveria këtë e ka prioritet dhe pjesë të programit. Plani i përgjithshëm kombëtar i territorit është në procesin e finalizimit nga ministritë që kanë kontribuar me grupet e punës. Dhe shumë shpejt ky plan që paraqet vizionin për zhvillimin e Shqipërisë do të miratohet në Këshillin e Ministrave duke u bërë një instrument i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, u shpreh Gjermeni.
Në Shqipëri këtë vit po hartohen 31 plane të përgjithshme vendore për 31 bashki, ku 26 prej tyre mbështeten financiarisht dhe teknikisht nga Qeveria Shqiptare, ndërsa procesi pritet të përfundojë në fillim të muajit korrik.
Sipas ndarjes së re administrative të vendit, që vjen nga reforma territoriale e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë, vendi aktualisht ka 61 bashki. Më parë në Shqipëri ekzistonin 373 bashki dhe komuna (njësi vendore).