Can Erözden
14 Mars 2018•Përditësim: 14 Mars 2018
ANKARA (AA) – Klubi futbollistik nga Stambolli, Beşiktaş, shpreson në mrekulli sonte kundër gjermanëve të Bayernit të Mynihut, me të cilët do të luajë ndeshjen e kthimit të vlefshme të tetës së finales në Ligën e Kampionëve në futboll, pasi paraprakisht, ndeshjen e parë e humbën me rezultat të thellë 5:0 në Mynih, raporton Anadolu Agency (AA).
Nikoqirit, Beşiktaş-it, do t'i mungojë mbrojtësi kroat Domagoj Vida, nga shkaku i kartonit të kuq të cilin e mori në ndeshjen e parë.
Probleme shtesë për ekipin turk paraqesin dëmtimet e mbrojtësve Pepe dhe Dushko Toshiq.
Bayerni i Mynihut nga ana e tij nuk ka lojtarë të pezulluar, mirëpo lojtari i krahut Kingsley Coman dhe portieri Manuel Neuer pritet të mungojnë nga shkaku i dëmtimeve.
Në mënyrë shtesë pritet të mungojnë edhe mesfushorët Corentin Tolisso dhe James Rodriguez, por kjo nuk është konfirmuar.
Ndeshja luhet në Vodafone Park, në ora 20:00 sipas kohës lokale (18:00 sipas kohës së Evropës Qendrore), ndërkohë që do të referohet nga arbitri anglez Michael Oliver.
Sonte në ora 20:45 luhet ndeshja e dytë mes Barcelonës dhe Chelsea-t, të cilët në ndeshjen e parë barazuan me shifrat 1:1.
Në ndeshjet e mbrëmshme, janë bërë të ditur edhe dy ekipet tjera që kanë siguruar kualifikimin në mesin e tetë më të mirëve në kontinentin e vjetër.
Spanjollët e Sevillas mposhtën në terren mysafir Manchester Unitedin me rezultatin 2-1, dhe u kualifikuan në çerekfinale, ndërsa Roma ishte më e mirë nga Shakhtar Donetsk 1:0, dhe me rezultatin e përgjithshëm 2:2 u kualifikua më tutje falë golit të shënuar në fushën mysafire.