Dejan Maksimoviç
14 Mars 2018•Përditësim: 15 Mars 2018
ROMË (AA) – Drejtori sportiv i Romës, spanjolli Monchi, premtoi se do të mësojë çdo fjalë të himnit të klubit dhe se do ta këndojë nëse plasohen në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Roma mbrëmë me golin e Edin Xhekos fitoi 1:0 dhe në këtë mënyrë eliminoi Shakhtar-in e Ukrainës, duke avancuar më tej në çerekfinale. Klubi i Romës pas 11 vitesh sërish u plasua në çerekfinalen e garës më të fuqishme të klubeve në Evropë.
“U angazhuam shumë, por tani mund të kënaqemi për shkuarjen më tutje. Jam shumë i lumtur dhe pas fitores menjëherë mund të fillojmë të mendojmë për shortin. Ndjehem i lumtur dhe krenar që morëm një çmim të tillë për punën e mundimshme. Ky klub është i veçantë, sepse funksionon falë zemrës dhe emocioneve. Gjithçka që bëjmë është për tifozët tanë dhe ata janë meritorë për natën e tillë”, tha Monchi për mediat italiane.
“Ende nuk i di të gjitha fjalët e himnit të Romës por premtoj se do t’i mësoj dhe këndoj nëse plasohemi në gjysmëfinale”, tha ai.