Admir Fazlagikj
21 Qershor 2021•Përditësim: 22 Qershor 2021
Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut me disfatën ndaj Holandës me rezultat 3:0 i ka dhënë fund paraqitjes së parë historike në Kampionatin Evropian të Futbollit EURO 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kuqe-verdhët" i dhanë fund pjesëmarrjes së tyre debutuese në EURO 2020 me tre humbje në Grupin C, i cili gjithashtu përfshinte kombëtaren e Holandës, Austrisë dhe Ukrainës.
Maqedonia e Veriut luajti ndeshjen e saj të fundit në stadiumin "Johan Cruyff" në Amsterdam, ku skuadra e tranerit Igor Angelovski humbi ndaj Holandës me rezultat 3:0.
Memphis Depay ishte pjesë e shënimit të tre golave për Holandës. Fillimisht ai shënoi golin e parë në minutën e 24-të, ndërsa më pas ai asistoi në dy golat e radhës, respektivisht në minutën e 51-të dhe 58-të, me çka Holanda arriti një fitore bindëse.
Në ndeshjen e sotme, kapiteni i ekipit të Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev, i dha lamtumirën fanellës së kombëtares. Në minutën e 68-të të ndeshjes në stadiumin "Johan Cruyff" në Amsterdam, trajneri i kuqe-verdhëve" nxori Goran Pandevin nga loja, me çka ai i dha lamtumirë fanellës së kombëtares me lot në sy.

Gjatë konferencës së djeshme për media në prag të ndeshjes me Holandës, Pandev njoftoi se kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në ekipin kombëtaren.
Në fanellën e "kuqe-verdhëve", Pandev debutoi në vitin 2001. Ai është mbajtësi i rekordit në numrin e paraqitjeve dhe golave në fanellën e ekipit kombëtar.
Pandev, i cili është 37-vjeç dhe mbetet e pasigurt nëse do të vazhdojë ose jo karrierën e tij në klubin italian Genoa, po largohet nga ekipi kombëtar me një rekord prej 122 paraqitjesh dhe 38 gola të shënuar.