Emre Aşıkçı
05 Gusht 2019•Përditësim: 06 Gusht 2019
Klubi i Premier Ligës angleze, Manchester United, ka konfirmuar nënshkrimin e mbrojtësit anglez Harry Maguire nga Leicester City, transmeton Anadolu Agency (AA).
Maguire nënshkroi një kontratë 6-vjeçare me mundësinë për ta vazhduar për një vit.
"Falënderoj të gjithë që më kanë mbështetur dhe kanë luajtur një rol në karrierën time. Jam krenar dhe i nderuar që i bashkohem @ManUtd. Çfarë rrugëtimi i mrekullueshëm i futbollit ishte kjo deri më tani", shkroi Maguire në rrjetet sociale.
"Harry është njëri prej qendër-mbrojtësve më të mirë të lojës sot dhe jam shumë i kënaqur që e kemi siguruar nënshkrimin e tij. Ai është një lexues i shkëlqyer i lojës dhe ka një prezencë të fuqishme në fushë, me aftësinë që të qëndrojë i qetë kur është nën presion, duke shtuar qetësinë në zotërimin e topit dhe një prezencë të madhe në të dy 16-metërshat. Mund të shoh që i përshtatet mirë këtij grupi si në fushë, ashtu edhe jashtë saj", tha trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer në faqen zyrtare të klubit.
Futbollisti 26-vjeçar iu bashkua klubit Leicester City në vitin 2017 dhe shënoi 5 gola në 76 paraqitje.
Maguire më herët luajti edhe për klubet Sheffield United, Hull City dhe Wigan Athletic në Angli.