Emre Aşıkçı
06 Gusht 2019•Përditësim: 07 Gusht 2019
Klubi anglez Crystal Palace ka konfirmuar nënshkrimin e ish-futbollistit të Chelsea, Gary Cahill, transmeton Anadolu Agency (AA).
Cahill nënshkroi kontratë dyvjeçare, ka bërë të ditur klubi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
"Mezi pres aventurën dhe sfidën e re. Mezi pres që t'ia filloj!", shkroi Cahill në rrjetet sociale.
"Jam shumë i kënaqur që Gary na është bashkangjitur. Ai është një futbollist fantastik i cili sjell pasuri me eksperiencën ndërkombëtare dhe në Premier Ligë. Duke punuar përkrah Gery-t gjatë kohës sime si trajner i Anglisë, e di që ai do të jetë një pasuri e vlefshme dhe jam shumë i lumtur që do të punoj përsëri me të", tha në faqen zyrtare të klubit Roy Hodgson, trajneri i Crystal Palace.
Mbrojtësi 33-vjeçar u nda nga Chelsea në fund të sezonit 2018-2019 pasi aty kaloi shtatë vite.
Ai shënoi 27 gola dhe bëri 11 asistime në 349 paraqitje në Premier Ligën angleze.
Gjatë shtatë viteve të kaluara në Londër, ai fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2012, si dhe ishte dy herë fitues i Evropa Ligës.
Ai gjithashtu i ndihmoi Chelsea-t që të fitojë dy Kupa të Ligës, dy tituj në Premier Ligë dhe një FA Kupë.
Para se të vinte në Chelsea në vitin 2012, Cahill ka luajtur për Burnley, Aston Villa, Sheffield United dhe Bolton në Angli.