Fatih Erel
27 Mars 2019•Përditësim: 29 Mars 2019
Numri një i tenisit botëror, Novak Gjokoviç, ka pësuar një humbje të befasishme në raundin e katërt të turneut Miami Open, nga tenisti Roberto Bautista Agut me rezultatin 1-6, 7-5 dhe 6-3, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo është hera e dytë që Agut mposht Gjokoviçin, pasi këtë e bëri edhe në turneun “Qatar Open” në janar të këtij viti.
Pas triumfit mbi fituesin e gjashtëfishtë të Miami Open, Agut tha se seti i parë nuk premtoi shumë.
"Çelësi i meçit ishte fillimi i setit të dytë. Për të fituar më duhej të jem i barazuar me rezultat, sepse kur Novak ka një avantazh atëherë luan me një agresivitet më të lartë", tha tenisti spanjoll.
“I lejova hapësirë dhe ai këtë e shfrytëzoi”, tha Gjokoviç për arsyet e humbjes së tij.
"I dhash shpresë se mund të rikthehet në lojë dhe ai bëri një rikthim të madh, por faji qëndron tek unë sepse kisha shumë raste të cilat nuk i shfrytëzova”, shtoi më tej tenisti serb.
Në raundin e pestë ose në çerekfinale, Agut do të ketë përball mbrojtësin e titullit nga viti i kaluar, tenistin John Isner.
Ndërkohë, çekja Petra Kvitova u mposht nga Ashleigh Barty në çerekfinale, me çka lëshoi rastin të kalojë në vendin e parë të renditjes botërore të tenisteve.