Can Erözden
21 Mars 2022•Përditësim: 22 Mars 2022
Tenistja polake Iga Swiatek u bë kampione e vitit 2022 e BNP Paribas Open për femra të dielën pas fitores ndaj kundërshtares së saj greke Maria Sakkari, raporton Anadolu Agency (AA).
Swiatek, 20 vjeçe, mundi Sakkari-n me rezultatin 6:4, 6:1, për të fituar titullin në Indian Wells Tennis Garden në Kaliforni.
Pas ndeshjes, 26-vjeçarja Sakkari vlerësoi Swiatek-un për suksesin e saj.
"Iga, luajte mirë! Je një kampione e madhe, një person i shkëlqyer. E meriton këtë. Meriton shumë më tepër... Fat të mbarë në të ardhmen. Urime për gjithë ekipin tuaj", tha ajo.
Swiatek gjihashtu e uroi Sakkarin për paraqitjen e saj në finale.
"Dua të përgëzoj Marian sepse çdo ndeshje kundër teje është një betejë e madhe. Dhe e di që ne tashmë kemi filluar një rivalitet mjaft të lezetshëm dhe mendoj se do të zgjasë për 10 vite të tjera. Kështu që do të jetë emocionuese dhe siç e dini, jam e sigurt se do të luajmë shumë finale të tjera”, tha Swiatek, e cila ishte e përlotur gjatë fjalimit të saj emocionues.
"Vërtet është çmenduri. Nuk e prisja të isha këtu", tha ajo.
Në fjalën e saj, Swiatek falënderoi tifozët e tenisit që erdhën për të parë turneun në SHBA, duke shtuar se ajo është e lumtur që njerëzit ishin të bashkuar dhe treguan solidaritet me Ukrainën në mes të luftës së saj me Rusinë.
Ajo u bë tenistja e parë polake që fitoi kampionatin Indian Wells.
Swiatek u ngjit në vendin e dytë të renditjes botërore për femra.
Ajo më parë mahniti admiruesit e tenisit pasi fitoi French Open 2020 në Stade Roland Garros në Paris në titullin e saj të parë dhe të vetëm Grand Slam.