Can Erözden
10 Maj 2023•Përditësim: 12 Maj 2023
Një nga veteranët e Barcelonës dhe kapiteni i ekipit, Sergio Busquets do të largohet nga gjiganti i futbollit spanjoll në fund të sezonit, konfirmoi sot mesfushori mbrojtës 34-vjeçar, transmeton Anadolu.
"Përshëndetje 'culers' (emri i njohur për tifozët e Barcës)! Ka ardhur koha t'ju njoftoj se ky do të jetë sezoni im i fundit me Barçën", tha Busquets në një video emocionuese në Twitter të postuar nga klubi.
"Ky ishte një rrugëtim i paharrueshëm. Që kur isha fëmijë kur vija në ndeshje ose i shikoja në TV, gjithmonë ëndërroja të luaja me këtë fanellë dhe në këtë stadium. Kurse realiteti i ka tejkaluar të gjitha ëndrrat e mia", tha ai.
Busquets shtoi se ishte "nder, ëndërr dhe burim krenarie" që të luaj për Barcelonën për kaq shumë vite, por nuk ishte një vendim i lehtë për të që të largohet nga klubi i fëmijërisë.
Busquets, lojtar i Barcelonës që nga viti 2008, falënderoi të gjithë njerëzit, veçanërisht bashkëlojtarët e tij të klubit për kontributin dhe mbështetjen e tyre.
Kontrata e tij me klubin do të përfundojë në qershor. Ai iu bashkua Barcelonës në vitin 2005 duke luajtur për ekipin e të rinjve të klubit spanjoll. Pastaj Busquets u promovua në skuadrën B të Barcelonës dhe në ekipin e parë në vitin 2008.
Me fanellën e Barcelonës ai luajti 718 ndeshje duke shënuar 18 gola dhe 40 asistime që e bën atë të tretin në listën e paraqitjeve të të gjitha kohërave për Barcelonën. Ai është një nga lojtarët më të dekoruar të Barcelonës me 31 tituj.
Busquets ndihmoi Barcelonën të fitonte 8 tituj të La Ligës spanjolle, 7 trofe të Copa del Rey, 7 Superkupa spanjolle, 3 tituj të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, 3 Superkupa të UEFA-s dhe 3 Kupa të Botës për Klube të FIFA-s.
Mesfushori i famshëm fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionati Evropian në vitin 2012 me kombëtaren spanjolle.
Sergio është djali i Carles Busquets, i cili ishte portier i Barcelonës në vitet 1990-1999.