Bekim Laci
22 Nëntor 2018•Përditësim: 23 Nëntor 2018
ABU DHABI (AA) - Piloti polak Robert Kubica, vitin e ardhshëm do t'u rikthehet garave në Formula 1 me britanikët e Williamsit, shtatë vjet pas aksidentit të tmerrshëm në të cilin pothuajse humbi dorën e djathtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Lajmin e konfirmoi sot ekipi britanik në një konferencë për media në Yas Marina Circuit, përpara garës të së dielës e cila do të mbahet për Çmimin e Madh të Abu Dhabit.
"Rikthimi im në F1 sezonin e ardhshëm është një nga arritjet më të mëdha të jetës sime dhe jam i sigurtë se me përpushtim dhe punë të palodhshme do të jem në gjendje të motivoj ekipin për të shënuar rezultate të mira së bashku“, tha Kubica, i cituar nga faqja zyrtare e Formula 1.
Ai ka regjistruar gjithsej 76 paraqitje në garat e F1, në sezonet mes viteve 2006-2010, duke garuar për konstruktorët BMW Sauber dhe Renault, duke shënuar një fitore.
Gara e tij e fundit ishte 8 vjet më parë në Abu Dhabi, ku përfundoi i pesti.
Karriera e pilotit polak për pak sa nuk përfundoi në shkurt të vitit 2011, atëherë kur pësoi një amputim të pjesshëm në krahun e tij, dhe disa lëndime tjera nga shkaku i një aksidenti të rëndë në një garë në Itali.
Ndonëse është rikuperuar pas operacionit dhe procesit të rehabilitimit, dora e tij akoma nuk është e tëra funksionale, pasi mbetet e hollë dhe e lakuar.
"Dua të falënderoj secilin që më ndihmoi gjatë asaj periudhe të vështirë të jetës sime, në vitet e fundit”, tha Kubica i cili sezonin e ardhshëm do të bashkëpunojë me pilotin tjetër të Williamsit, George Russell.