Dejan Maksimoviç
09 Prill 2016•Përditësim: 10 Prill 2016
BARCELONË (AA) - Futbollistët e Barcelonës sonte në xhiron e 32-të të Primera Division do të jenë mysafirë të Real Sociedad-it. Luis Enrique, trajneri i klubit katalunjas konsideron se lojtarët e tij do të ballafaqohen me ndeshjen më të vështirë të sezonit, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas humbjes nga Real Madridi në El Clasico fundjavën e kaluar, Barcelona nuk mund ti lejoj vetes luksin të humbas edhe një lojë. Në këtë rast, Atletico mund të afrohet në tre pikë, dhe Reali në katër pikë minus, kurse fundi i sezonit do të bëhej shumë i pasigurt.
Barcelona në San Sebastian nuk ka fituar që nga viti 2007, kur ekipin e drejtonte Frank Rijkaard. Pastaj Real Sociedad ra nga liga, ndërsa që nga kthim në sezonin 2010/11, si nikoqir ka regjistruar katër fitore dhe dy barazime ndaj Barçës.
"Nëse e shohim traditën, është e qartë se nuk ka asnjë stadium tjetër në Spanjë që është aq i vështirë për ne. Prandaj, ne duhet të punojmë shumë, sepse një gjë është e sigurt: na pret një lojë shumë e vështirë. Do të thoja ndeshja më e vështirë si mysafir gjatë sezonit", ka thënë Enrique.
Në xhiron e 32-të, Real Madridi sot në ora 16 pret Eibarin, ndërsa në ora 18.15 Atletico Madrid do të jetë mysafir i Espanyol-it, klubit tjetër nga Barcelona. Në tabelë Barcelona ka 76 pikë, Atletico 70, ndërsa Reali 69 pikë.