10 Dhjetor 2017•Përditësim: 11 Dhjetor 2017
CLEVELAND (AA) - Bilgin Şaşmaz
Lojtari i kombëtares turke në basketboll, Cedi Osman, i cili luan në ekipin Cleveland Cavaliers në Ligën e Basketbollit Amerikan (NBA), tha se mbështetja e popullit turk është një burim i mbështetjes morale për të. Pas ndeshjes me Philadelphia 76ers në Quicken Loans Arena në Cleveland, basketbollisti Cedi Osman i është përgjigjur pyetjeve të gazetarit të Anadolu Agency (AA).
Basketbollisti 22 vjeçar duke bërë të ditur se kanë marrë një fitore të rëndësishme përballë Philadelphia 76ers, është shprehur se "Philadelphia 76ers luajti shumë mirë. Kishim dëshirën që pas humbjes së djeshme të arrinim një fitore në vendin tonë dhe fituam. Morali i ekipit është në gjendje të mirë. Jemi të detyruar të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë."
"Mbështetja e popullit turk, burim morali"
Ndër të tjera Cedi Osman ka theksuar se nuk ka patur vështirësi për tu përshtatur në NBA dhe është shprehur: "Që në ditën kur kam ardhur shokët e ekipit dhe drejtuesit teknikë më kanë ndihmuar shumë. Mund të them se nuk jam ndjerë si i huaj. Që të gjithë më kanë ndihmuar në një mënyrë shumë të ngrohtë dhe me qëllim të mirë".
"Shpresoj që në vitin e parë timin të jemi ekipi kampion", ka theksuar Osman, duke shtuar se është i lumtur në SHBA dhe i gëzuar që ka veshur fanellën në NBA. Pasi ka deklaruar se është shumë i lumtur që ndiqet nga populli turk, Osman tha se "Është një krenari që njerëzit më mbështesin dhe ngrihen natën për të më shikuar mua. Mbështetja e popullit turk është një burim morali i pabesueshëm për mua. Edhe në ndeshje luaj sipas kësaj. Për këtë i falënderoj të gjithë ata që më mbështesin. Shpresoj gjithashtu që edhe unë me basketbollin tim përfaqësoj në mënyrën më të mirë Turqinë".
"Dëshiroj të luaj në NBA deri kur të lë basketbollin"
"Është e pabesueshme që unë marr pjesë në një skuadër të tillë, është një lumturi dhe krenari e madhe. Në mesin e shokëve të ekipit ka lojtarë shumë me përvojë ku unë mund të mësoj shumë gjëra", është shprehur basketbollisti Osman, duke shtuar se ndjen veten shumë me fat që ndodhet në skuadrën e një ekipi që garon për kampion në NBA.
Basketbollisti i kombëtares turke ka theksuar se është shumë i lumtur që ndan të njëjtën fushë me basketbollistin legjendar LeBron James, duke shtuar se "Ai në përgjithësi është një person që i ndihmon të gjithë. Është një lojtar dhe lider i jashtëzakonshëm. Jam shumë i lumtur që jam në të njëjtin ekip me atë. Kam shumë gjëra për të mësuar prej tij".
Ndërsa pyetjes se si ka arritur një karrierë e suksesshme në një moshë të re, Cedi Osman i është përgjigjur: "Qëllimi im i përgjithshëm ka qenë që të zhvilloj gjithmonë lojën time të basketbollit, por objektivi im kryesor është që qëndroj gjithmonë në NBA. Dëshiroj të luaj në NBA deri kur të lë basketbollin".
Për vendimin e FIBA-s për ndeshjet e kombëtares brenda sezonit, ai është shprehur: "Është një zbatueshmëri që i vendos në pozitë të vështirë të gjithë basketbollistët. Asnjë ekip nuk ka mundur të luajë me lojtarë as. Basketbollistët mbesin në mes të klubeve ku luajnë dhe ekipeve kombëtare, gjë e cila kjo ndikon negativisht tek ata, por si përfundim ndeshjet luhen. I ndjek nga afër ndeshjet e Turqisë. Në dy ndeshje kemi fituar dy. Shpresoj që duke fituar edhe ndeshjet në muajin shkurt të përparojmë në mënyrën më të mirë në eliminatoret e Kupës Botërore".
Cedi Osman ka lindur në vitin 1995 në qytetin Ohër të Maqedonisë. Në vitin 1999 bashkë me familjen e tij, ai u zhvendos në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës. Në moshën 13 vjeçare ai mbërrin në Stamboll duke marrë më pas edhe nënshtetësinë turke. Basketbollisti i kombëtares turke në basketboll gjatë karrierës së tij ka luajtur për ekipet si Anadolu Efes, Pertevniyal dhe aktualisht luan në Cleveland Cavaliers.