Emre Aşıkçı
01 Dhjetor 2022•Përditësim: 02 Dhjetor 2022
Përfaqësuesja e Meksikës në futboll mbeti pa trajnerin e saj pasi Gerardo "Tata" Martino u largua nga kombëtarja të cilën nuk arriti ta dërgonte në të tetën e finales së Kupës së Botës "Katar 2022", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Unë jam përgjegjësi kryesor për thyerjen e zemrave që përjetojmë sot. Marr përgjegjësinë për mossuksesin gjatë këtij Kampionati Botëror. Kontrata ime përfundoi kur arbitri fishkëlleu fundin e ndeshjes", tha Martino pas fitores së Meksikës ndaj Arabisë Saudite 2:1, por edhe përkundër kësaj fitoreje u eliminua nga Botërori.
Kombëtarja e Meksikës në fund e ndante një gol nga e teta e finales, ndërsa kur u nisën në kërkim të tij, ata pranuan një gol në minutat e fundit të ndeshjes. Me këtë meksikanët i dhanë fund serisë së suksesshme pasi që deri më tani në shtatë botërore radhazi arritën të kualifikohen në fazën e eliminimeve.
Argjentina zuri vendin e parë në Grupin tejet emocionues “D” me gjashtë pikë. Në vendin e dytë radhitet Polonia me katër pikë sa ka edhe Meksika në vendin e tretë, por se Polonia u kualifikua në të tetën e finales falë golaverazhit më të mirë. Arabia Saudite mbeti e fundit me tre pikë, por në shtëpi do të kthehen me triumfin sensacional ndaj Argjentinës në xhiron e parë.