Dejan Maksimoviç
01 Dhjetor 2017•Përditësim: 01 Dhjetor 2017
SHKUP (AA) – Në sallën e koncerteve të pallatit shtetëror të Kremlinit, sot në orën 16:00 do të hidhet shorti për garat në grupe të Kampionatit Botëror në futboll, i cili do të mbahet në Rusi në datat 14 qershor- 15 korrik 2018, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kombëtaret, gjithsej 32, janë të ndara në katër grupe, ndërsa programi i shortit do të drejtohet nga ish-sulmuesi anglez Gary Lineker, golashënuesi më i mirë i kampionatit të vitit 1986 në Meksikë, ndërkohë që do ta shoqërojë gazetarja ruse e sportit Maria Komandnaya.
Gjatë tërë shortit ata do të jenë të ndihmuar nga tetë futbollistë të cilët kanë lënë gjurmë në lojën më të popullarizuar në botë, Laurent Blanc (Francë), Gordon Banks (Angli), Cafu (Brazil), Fabio Cannavaro (Itali), Diego Forlan (Urugvaj), Diego Maradona (Argjentinë), Carles Puyol (Spanjë) dhe Nikita Simonyan (Rusi), ndërsa kupa e rezervuar për kampionin botëror në skenë do të prezantohet nga gjermani Mirosllav Kllose, fitues i titullit në vitin 2014.
Federata Botërore e Futbollit (FIFA) njoftoi se rreth 1.400 të ftuar do të marrin pjesë në shortin e sotëm, në mesin e të cilëve 30 përzgjedhës të kombëtareve. I tërë eventi do të ndiqet nga rreth 1.500 gazetarë të akredituar. Garat e Kampionatit Botëror do të zhvillohen në 12 stadiume në 11 qytete ruse meqë Moska ka dy stadiume “Luzhniki“ dhe “Otkrytiye“, ndërsa qytetet nikoqire të kombëtareve janë edhe St. Petersburg, Kaliningrad, Kazan, Nuzhny Novgorod, Samara, Vollgograd, Saransk, Rostov-on-Don, Sochi dhe Yekaterinburg.
E vetmja që dihet para shortit është se Rusia do të vendoset në pozitën e parë të grupit “A”, në mënyrë që të luaj hapjen e Kampionatit Botëror më 14 qershor 2018 në stadiumin “Luzhniki“. Finalja do të luhet në të njëjtin stadium më 15 korrik.
1: Rusia, Gjermania, Brazili, Portugalia, Argjentina, Belgjika, Polonia, Franca.
2: Spanja, Peru, Zvicra, Anglia, Kolumbia, Meksika, Uruguai, Kroacia.
3: Danimarka, Islanda, Kostarika, Suedia, Tunizia, Egjipti, Senegali, Irani.
4: Serbia, Nigeria, Australia, Japonia, Maroku, Panama, Koreja e Jugut, Arabia Saudite.