Bekim Laci
06 Tetor 2016•Përditësim: 06 Tetor 2016
SHKUP (AA) – Sonte në program janë ndeshjet e xhiros së dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror në futboll, Rusi 2018, ndërkohë që spikat ndeshja debutuese e përfaqësueses së Kosovës para publikut vendas, raporton Anadolu Agency (AA).
Në mungesë të stadiumit i cili përmbush standardet e UEFA-s për ndeshje ndërkombëtare, përballjen me Kroacinë në kuadër të grupit I, Kosova do ta zhvillojë në Shkodër, ndërkohë që në po të njëjtin grup ndeshje interesante pritet të jetë edhe përballja mes Turqisë dhe Ukrainës në Konya, ndërsa në sfidën e tretë në Rejkiavik do të përballen Islanda dhe Finlanda.
Në grupin G, Shqipëria e De Biasit pas suksesit me Maqedoninë dhe arkëtimit të tre pikëve, e pret një ndeshje e lehtë në shikim të parë kundër Lihtenshtajnit që do ta vendoste në pozitën e parë në tabelë, ndërsa në ndeshjet tjera të grupit Maqedonia pret Izraelin, ndërsa derbi i mbrëmjes luhet në stadiumin e Juventusit ku përfaqësuesja e Italisë pret atë të Spanjës.
Raundi i dytë:
Grupi “I“: Kosova – Kroacia, Turqia– Ukraina, Islanda – Finlanda
Grupi “D“: Austria – Uellsi, Republika e Irlandës – Gjeorgjia, Moldavia – Serbia
Grupi “G“: Italia – Spanja, Maqedonia – Izraeli, Lihtenshtajni – Shqipëria
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në ora 20:45.