Can Erözden
13 Janar 2020•Përditësim: 14 Janar 2020
Sulmuesi argjentinas nga skuadra Manchester City, Sergio Agüero, ka hyrë në historinë e Premier Ligës angleze duke shënuar 177 gola dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë në kategorinë e futbollistëve të huaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
31-vjeçari Agüero shënoi tre gola kundër Aston Villas në ndeshjen e së dielës, në të cilën Manchester City shënoi fitore me rezultat 6-1.
Pas fitores bindëse, City radhitet i dyti me 47 pikë, ndërsa në vend të parë është Liverpool i cili ka fituar 61 pikë në 21 ndeshje.
Agüero ka tejkaluar legjendën franceze të futbollit, Thierry Henry, i cili ka shënuar 175 gola në ligën angleze.
42-vjeçari Henry, ish-sulmuesi i Arsenalit, aktualisht drejton klubin Montreal Impact, njërin nga klubet kanadeze që garojnë në ligën e parë amerikane.
Agüero luan për skuadrën e City-t që nga korriku i vitit 2011.
Përpos kësaj, Agüero me 177 golat e shënuar radhitet i katërti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në Premier Ligën angleze.
Ai ndan pozitën e katërtë me ish-futbollistin dhe drejtuesin aktual të Chelsea-t, Frank Lampard, i cili gjithashtu shënoi 177 gola gjatë karrierës së tij. Lampard u tërhoq nga futbolli në shkurt të vitit 2017.
49-vjeçari Alan Shearer është akoma golashënuesi më i mirë i Premier Ligës angleze. Ish-sulmuesi i Newcastle United ka shënuar 260 gola gjatë karrierës së tij, një rekord që vështirë se mund të arrihet.
10 golashënuesit e huaj më të mirë në Premier Ligën angleze
| Futbollisti | Kombësia | Golat e shënuar |
| 1- Sergio Agüero | Argjentinë | 177 |
| 2- Thierry Henry | Francë | 175 |
| 3- Robin Van Persie | Holandë | 144 |
| 4- Jimmy Floyd Hasselbaink | Holandë | 127 |
| 5- Robbie Keane | Irlandë | 126 |
| 6- Nicolas Anelka | Francë | 125 |
| 7- Dwight Yorke | Trinidad dhe Tobago | 123 |
| 8- Romelu Lukaku | Belgjikë | 113 |
| 9- Ryan Giggs | Uells | 109 |
| 10- Didier Drogba | Bregu i Fildishtë | 104 |
*Të gjitha statistikat janë marrë nga "premierleague.com"