Dejan Maksimoviç
05 Nëntor 2016•Përditësim: 06 Nëntor 2016
TORINO (AA) – Gianluigi Buffon (38), portieri fantastik i klubit Juventus nga Torino këtë fundjavë do të shkruajë edhe një faqe të re në karrierën e tij. Nëse Buffon qëndron në golin e “zonjës së vjetër” të dielën kundër Chievos në Verona, kjo do të jetë ndeshja e tij e 600-të në Seria A të Italisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë mënyrë Buffon do të bëhet lojtari i katërt në historinë e Seria A që ka regjistruar së paku 600 ndeshje në këtë garë.
Para tij të njëjtën gjë e kanë bërë futbollisti ende aktiv Francesco Totti, kapiten i Romës i cili ka 607 ndeshje, dhe i pensionuari Javier Zanetti, i cili në fanellën e Interit luajti 615 ndeshje të ligës së parë.
Rekordin e mban legjenda Paolo Maldini, mbrojtësi i dikurshëm i Milanit me 647 ndeshje në Seria A, por, për dallim nga ta Buffon gjatë karrierës së tij ka luajtur për dy klube, Parma dhe Juventus.
Buffon debutoi në elitën italiane më 19 nëntor të vitit 1995 kur qëndroi në golin e Parmës kundër Milanit me 17 vjet e nëntë muaj. Ajo që Buffonin e parandaloi që më herët të hyjë në “klubin 600” është fakti se Juventusi për shkak të aferës rreth trukimit të ndeshjeve në vitin 2006 u përjashtua në Seria B. Portieri paralajmëroi se do të pensionohet pas Kampionatit Botëror në vitin 2018 në Rusi, në moshën 40 vjeçare.