Mutlu Demirtaştan
17 Mars 2019•Përditësim: 18 Mars 2019
Gjenova mposhti sot Juventusin në një ndeshje të vlefshme për xhiron e 28-të të Seria A, me çka “Zonjës së Vjetër”, i shkaktuan humbjen e parë këtë sezon, raporton Anadolu Agency (AA).
Juventusi luajti ndeshjen e 28-të Seria A në terren mysafir në Luigi Ferraris të Gjenovas, por u shfaq pa yllin Cristiano Ronaldon si dhe pa disa nga titullarët.
Stefano Sturaro shënoi për nikoqirët për 1:0 në minutën e 72, ndërsa pak minuta më vonë, më saktësisht në minutën e 81-të, Goran Pandev shënoi për rezultatin përfundimtare 2:0.
Pavarësisht disfatës që pësoi sot, Juventusi mbetet kryesues i padiskutueshëm i tabelës së klasifikimit, dhe është vetëm çështje kohe se kur do të shpallet kampion.
Juventus është në kuotën prej 75 pikësh, ose 18 më shumë se Napoli në vendin e dytë, ndërsa kanë ngelur edhe vetëm 10 ndeshje deri në fund.
Me fitoren e sotshme, Gjenova është ngjitur në kuotën prej 33 pikësh në pozitën e 12-të.