Besar Ademi
11 Nëntor 2016•Përditësim: 12 Nëntor 2016
SHKUP (AA) – Ditën e sotme dhe të nesërme, në Qendrën Sportive “Boris Trajkovski” në Shkup do të mbahet edicioni i 46-të i turneut ndërkombëtar në boks “Gongu i Artë 2016”, ku do të marrin pjesë mbi 50 boksierë të cilët do të përfaqësojnë 12 shtete të rajonit dhe më gjerë, raporton Anadolu Agency (AA).
Maqedonia përfaqësohet nga shtatë boksierë, ndërsa vendet tjera që përfaqësohen në këtë turne janë: Shqipëria, Kosova, Britania e Madhe, Bosnjë e Hercegovina, Belgjika, Sllovenia, Serbia, Rumania, Mali i Zi, Holanda dhe Kroacia.
Tradicionalisht, patronat kryesor i këtij turneu është Agjencia e Rinisë dhe Sportit e Republikës së Maqedonisë, e cila këtë vit ndau 900 mijë denarë për organizimin e këtij turneu në boks.
“Ky turne tradicional këto 46 vite ka kontribuar që ‘Gongu i Artë’ të zhvillohet ndërkombëtarisht. Ky turne ndërkombëtar sot afirmon dhe promovon Maqedoninë në skenën sportive ndërkombëtare”, u shpreh Marijan Spasovski, drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport.
Ndërsa, kryetari i Federatës së Boksit të Maqedonisë, Igor Zlatkov, theksoi se në edicionin e sivjemë numri i pjesëmarrësve është më i madhi deri të më tani. Ai për AA bëri të ditur se planifikojnë të formojnë një ligë rajonale të boksit, ku do të marrin pjesë të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë.
“Kjo është diçka më e re në hapësirat e ish Republikës së Jugosllavisë. Bashkërisht 14 përfaqësues të këtyre vendeve u dakorduam të formojmë një ligë rajonale të boksit, ku do të përshihen të gjitha klubet e boksit, pa marrë parasysh problemet politike dhe gjeografike”, deklaroi Zlatkov për AA.
Zlatkov shtoi se edhe Shqipëria ka kërkuar pjesëmarrjen në këtë ligë rajonale, ndërkohë një mundësi e tillë do t’i ofrohet edhe Bullgarisë.
Programi i sotëm filloi me gjysmëfinale, ndërsa ditën e nesërme pritet finalja. Këtë vit, krahas çmimit prestigjioz “Gongu i Artë” i cili do t’i ndahet boksierit më të mirë të turneut, janë paraparë edhe çmime për teknik më të mirë, trajner dhe arbitër më të mirë.