Dejan Maksimoviç
21 Shtator 2017•Përditësim: 21 Shtator 2017
NYON (AA) – Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) në një mbledhje të mbajtur ka miratuar propozim-garën të cilën ia prezentoi opinionit më të gjerë të quajtur Liga e Kombeve, që do të startojë më 6 shtator të vitit 2018, raporton Anadolu Agency (AA).
UEFA thotë se “Liga e Kombeve është një garë e re e cila do të duhet të sigurojë vazhdimësi të ndeshjeve dhe sukseseve të ekipeve kombëtare, duke zëvendësuar pjesën më të madhe të ndeshjeve miqësore me ndeshje garuese, njëherësh duke u mundësuar të gjitha kombëtareve të luajnë kundër ekipeve të të njëjtit rang”.
Të gjitha ekipet kombëtare, pjesë e UEFA-s, 55 sosh, do të garojnë në Ligën e Kombeve.
Skuadrat do të ndahen në katër liga “A”, “B”, “C” dhe “D”, ku për bazë do të merret renditja e UEFA-s për kombëtaret nga 11 tetori 2017, më konkretisht pas përfundimit të kualifikimeve për Kampionatin Botëror Rusi 2018.
Në ligat A dhe B do të ketë nga 12 ekipe, në ligën C 15, ndërsa 16 ekipet kombëtare të mbetura do të garojnë në ligën D.
Në ligat A dhe B, ekipet do të ndahen në katër grupe me nga katër ekipe, në ligën C njëri grup do të ketë tre ekipe ndërsa tre të tjerat me nga katër, ndërsa në ligën D, ekipet kombëtare do të ndahen në katër grupe me nga katër ekipe. Nga shtatori i vitit 2018, ndeshjet do të luhen me sistemin “nikoqir-mysafir”.
Katër fituesit në grupet e ligës A do të plasohen në finalen e Ligës së Kombeve e cila do të mbahet në qershor të vitit 2019, ku janë paraparë dy ndeshje gjysëmfinale, një finale dhe një tjetër për vendin e tretë. Shteti nikoqir i kësaj gare të re, do të përcaktohet nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në dhjetor të vitit të ardhshëm.
Sa u përket ligave””B”, “C” dhe “D”, fituesit do të kualifikohen në një rang më të lartë, ndërsa ekipet e fundit do të bien një rang më poshtë.
Shorti i i fazës grupore të Ligës së Kombeve do të mbahet më 24 janar 2018 në Lozanë, atëherë kur do të prezantohet edhe kupa për fituesin.
Liga e Kombeve do të ndikojë edhe në kualifikimet për EURO 2020. Më konkretisht, 20 kombëtare do të sigurojnë vend përmes kualifikimeve, ndërkohë që katër ekipet e mbetura do të sigurojnë vizën përmes 'play-off'-it në saje të plasmanit në Ligën e Kombeve.
Në kualifikimet, ekipet kombëtare do të ndahen në dhjetë grupe me pesë apo gjashtë skuadra. Dy të parat do të kualifikohen për EURO 2020, e cila do të luhet në 13 shtete të ndryshme. Kualifikimet do të fillojnë në mars të vitit 2019, në vend të shtatorit 2018.
Për katër vendet e mbetura do të luftojnë 16 fituesit e grupeve në Ligën e Kombeve. Secila nga ligat do të ketë rrugën e saj me gjysëmfinale dhe finale, pas çka fituesi fiton të drejtën për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian EURO 2020.
Nëse fituesi tashmë ka siguruar vend përmes kulifikimeve, ai do të zëvendësohet me ekipin e dytë më të mirë.
Në bazë të renditjes aktuale të UEFA-s, Shqipëria do të garojnë në ligën C, ndërsa Kosova dhe Maqedonia në ligën D.