Agim Sulaj
16 Nëntor 2020•Përditësim: 16 Nëntor 2020
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka humbur kundër Slloveninë në kuadër të UEFA Ligës së Kombeve në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Stozíce” në Ljubjanë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pjesa e parë e ndeshjes u përcoll me aksione të shpeshta nga të dyja anët e fushës por që nuk u konkretizuan me gol.
Në pjesën e dytë, golin e parë për rezultat 0-1, e shënoi sulmuesi kosovar Vedat Muriqi në minutën e 58-të, pas asistimit të Bernard Berishës.
Epërsia e “Dardanëve” nuk ka zgjatur shumë dhe rezultatin 1-1 Sllovenia e ktheu nëpërmjet lojtarit Jasmin Kurtiç në minutën e 63-të.
Sllovenët golin e fitores e kanë shënuar në minutën e 94-të nga pika e bardhë nëpërmjet Josip Iliçiç, që realizoi penalltinë që u dha për shkak të lojës me dorë të Fidan Alitit.
Ekipi i Kosovës në këtë ndeshje, ashtu sikur në miqësoren ndaj Shqipërisë u drejtua nga ndihmës trajneri Muharrem Sahiti, sepse trajneri Bernard Challendes po e vazhdon rikuperimin e tij për shkak se rezultoi pozitiv në testin për COVID-19.
Pas kësaj ndeshjeje, Kosova mbetet e treta në Grupin 3 të Ligës C me 2 pikë. Sllovenia është e para me 13 pikë, Greqia e dyta me 11, ndërsa e fundit është Moldavia me 1 pikë.
Kosova ndeshjen e fundit në kuadër të grupit e zhvillon kundër Moldavisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 18 nëntor.