Fatih Erel
18 Mars 2019•Përditësim: 19 Mars 2019
Tenisti austriak Dominic Thiem mposhti zviceranin Roger Federer, me çka triumfoi në turneun prestigjioz Indian Wells që luhet në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).
Me fitoren e arritur, Thiem i dha fund synimeve të Federerit për titullin e gjashtë rekord në Indian Wells.
Austriaku mposhti kampionin e 20 turneve Grand Slam me rezultatin 2:1 në sete, 3-6, 6-3 dhe 7-5.
Fitorja e Thiem është e para në karrierën e tij në një turne “ATP World Tour Masters 1000”, e cila njëherësh i mundësoi të ngjitet në pozitën e katërt të renditjes botërore të tenistëve.
"Për mua, kjo është diçka joreale", tha Thiem pas ndeshjes.
"Përjetova me kënaqësi çdo sekondë të lojës. Më duheshte të mësohem me lojën e Rogerit. Në setin e parë ishte i mahnitshëm, por u riktheva në ndeshje", shtoi ai.