Agim Sulaj
18 Mars 2019•Përditësim: 19 Mars 2019
Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challendes, e ka quajtur fazë të re për ekipin ndeshjen miqësore me Danimarkën që do të luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për shtyp, Challendes tha se për të si trajner, do të jetë sfidë ndërrimi i ligës dhe fillimi i ciklit kualifikues për “Euro 2020”.
“Tani po fillojmë një fazë të re kualifikuese, që është një sfidë e re për ne. Tani për ne është një sfidë mjaft e vështirë. Tashmë kemi kaluar në një nivel tjetër. Kemi ndërruar ligë dhe jemi përballë kundërshtarëve krejtësisht të tjerë", tha Challendes
"Deri më tash, kemi pasur sukses me Ligën e Kombeve dhe ndeshjet miqësore. Por, tani e dimë saktësisht çfarë na pret. Nuk luajmë më me kundërshtarë të ligës D. Luajmë me kombëtare që kanë qenë në ligën A dhe B, skuadra shumë të mira në Evropë, që nënkupton që është një jetë e re për ekipin tonë”, shtoi trajneri i kombëtares kosovare.
Sipas Challendes, miqësorja e 21 marsit me Danimarkën do të tregojë kapacitetet e ekipit kosovar për ndeshjen kualifikuese më 25 mars me Bullgarinë.
Challendes u zotua se do ta bëjë përzierjen më të mirë të lojtarëve, duke marrë parasysh që shumica prej tyre ka një kohë që nuk kanë performuar dhe janë të freskët.
“Është nder të marrim një ofertë për të luajtur ndaj një përfaqësuese si Danimarka. Për ta përsëritur edhe një herë, Danimarka është ekipi i dhjetë në radhitjen e FIFA-s, që nënkupton forcën e këtij ekipi në botë. Ky ekip ka arritur të luajë deri në një të tetën e finales së Kampionatit Botëror në Rusi dhe është eliminuar nga finalisti Kroacia, vetëm pas ekzekutimit të penaltive”, theksoi ai.
Challandes konfirmoi se dy lojtarë, Valon Berisha dhe Hekuran Kryeziu, janë të lënduar dhe se do të mungojnë në këtë miqësore.
Kosova luan në Grupin A të kualifikimeve për Euro 2020 me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi.