Bekim Laci
14 Dhjetor 2018•Përditësim: 15 Dhjetor 2018
ZYRIH (AA) - Gjiganti futbollistik italian, AC Milan, ka afat deri në qershor të vitit 2021 të përmbushur rregullin e UEFA-s, për Fair Play financiar, në të kundërtën do të përballet me një pezullim në garat ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Paralajmërimi u bë sot nga organi i UEFA-s për kontroll financiar të klubeve, i cili bëri të ditur se Milani do të pezullohet në sezonet 2022/23 dhe 2023/24, nëse deri më 30 qershor të vitit 2021 nuk barazon shpenzimet me të hyrat në klub.
“Nëse klubi nuk do të jetë i barazuar deri më 30 qershor të vitit 2021, ai do të përjashtohet nga pjesëmarrja në garën e ardhshme të UEFA-së, për të cilën do të kualifikohej në sezonet 2022/23 dhe 2023/24. Në mënyrë shtesë, klubi do të humbë 12 milionë eurot nga të ardhurat e UEFA-s për Ligën Evropa 2018/19 dhe nuk do të lejohet të regjistrojë më shumë se 21 lojtarë për pjesëmarrje në garat UEFA në sezonet 2019/20 dhe 2020/21”, thotë UEFA.
Rregullorja e UEFA-s, parasheh që klubet futbollistike nuk guxojnë të shpenzojnë më shumë se sa të ardhurat që kanë ose në të kundërtën do të përballen me sanksione të mundshme, të cilat mes tjerash parashohin edhe pezullim në garat të cilat ajo i organizon.