Stipe Majic
11 korrik 2018•Përditësim: 11 korrik 2018
ZAGREB (AA) - Qendra e Zagrebit tashmë për disa orë është e mbushur plotë tifozë të kombëtares kroate të cilët me padurim presin fërshëllimën e parë të referit që do të sinjalizojë fillimin e sfidës kundër Anglisë, të vlefshme për gjysmëfinalen e Botërorit "Rusi 2018", raporton Anadolu Agency (AA).
Shitësit e rekuiziteve të tifozerisë kanë përfituar më së shumti nga ethet të cilat e kanë kapluar Zagrebin. Ata thonë se më së shumti shiten fanellat me emrin e Rakitiqit dhe Modriqit, me në çmim prej 20 eurosh.
Në kryeqytetin e Kroacisë kanë mbërritur për të parë ndeshjen tre çifte nga Melburni i Australisë, prindërit e të cilëve janë me prejardhje kroate.
"Kroacia është më e mirë se Anglia, mund të avancojmë në finale”, thotë njëri nga djelmoshat e ardhur nga Melburni dhe parashikon një fitore 2:1.
Kreu i qeverisë kroate, Andrej Plenkoviç dhe kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviç, tashmë kanë udhëtuar për në Moskë me një fluturim të rregullt, bashkë me 450 tifozë kroat.
Plenkoviç dhe Jandrokoviç do të ndjekin ndeshjen në Moskë bashkë me rreth 10.000 tifozë kroatë, të cilët do të përkrahin kombëtaren e tyre për një biletë e cila mund të çojë në finale të Botërorit.
Pritet që transmetimi televiziv në Radio Televizionin e Kroacisë të ndiqet nga mbi dy milionë qytetarë kroatë të cilët përveç në ambientet shtëpiake, do të tubohen edhe në sheshet e qyteteve.