Hatice Özdemir
23 Prill 2016•Përditësim: 23 Prill 2016
GAZIENTEP (AA) - Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryetari i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, dhe Zëvendëskryetari i Komisionit të BE-së, Frans Timmermans, sot në qendrën strehimore Nizip-2 në Gazientep do të takohen me refugjatët sirianë, raporton Anadolu Agnecy (AA).
Davutoğlu, Merkel, Tusk dhe Timmermans do ta vizitojnë qendrën strehimore Nizip-2 ku jetojnë 4 mijë e 818 sirianë, e cila ka një sipërfaqe prej 145 mijë metrash katrorë, e ndërtuar më 11 shkurt 2013 në koordinimin e Drejtorisë për Menaxhimin e Gjendjeve Emergjente dhe të Katastrofave (AFAD) në kuadër të Kryeministrisë.
Sipas informacioneve nga zyrtarë në AFAD, në qendrën me personel prej 282 vetash, përfshihen 500 metra katrorë fushë sporti, 300 metra katrorë park lojërash, dy lavanderi, një market, dy floktore, një vend për falje, dy sallone televizorësh dhe dy salla interneti.
Në këtë qendër kanë lindur 363 fëmijë, ndërsa numri i fëmijëve sirianë që i ndjekin mësimet është 857.
- Turqia ua hapi derën refugjatëve sirianë-
Turqia, e cila që nga dita e parë e krizës po zbaton “politikën e dyerve të hapura”, sot ka pozitën e vendit që ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve. Turqia, e cila me koordinimin e AFAD-it u ofroi jetë të re 3 milionë refugjatëve sirianë që ikën nga lufta, po ashtu u ofron refugjatëve edhe shërbime shëndetësore pa pagesë.
Në 26 qendrat e themeluara nga AFAD për refugjatët sirianë, plotësohen të gjitha nevojat fizike, sociale dhe psikologjike. Krahas nevojave themelore, në qendrat strehimore organizohen edhe zgjedhje demokratike për zgjedhjen e kreut, ofrohen kurse profesionale, zhvillohen fushata për vetëdijesim rreth martesës në moshë të re, etj.
Në mënyrë që shërbimet të menaxhohen përmes një platforme elektronike, u zhvillua Sistemi Menaxhues për Tejkalimin e Katastrofave (AFKEN), që vitin e kaluar e kishte fituar çmimin e OKB-së “Shërbimi Publik më i mirë”.