Ekip,Erdinç Aksoy
24 Nëntor 2016•Përditësim: 24 Nëntor 2016
ADANA (AA) – Si pasojë e një shpërthimi i cili ka ndodhur në një mjet në autoparkun e prefekturës së qytetit Adana në Turqi, 2 persona kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).
Prefekti i Adana-s, Mahmut Demirtaş, në lidhje me këtë ka thënë se në shpërthim kanë humbur jetën 2 qytetarë, dhe janë plagosur 16 të tjerë.
"Rreth orës 08.05 (me orën lokale) një automjet ka shpërthyer në hyrje të prefekturës. Sipas informacioneve të para thuhet se mendohet që ngjarja është kryer nga një grua" ka thënë ndër të tjera prefekti Demirtaş.
Sipas informacioneve të marra mësohet në vendngjarje janë dërguar ambulanca të shumta dhe zjarrfikëse. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe mjete të tjera, si dhe është dëmtuar edhe ndërtesa e prefekturës.
Kurtulmuş: Turqia vazhdon luftën e vendosur kundër terrorizmit
Zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë Numan Kurtulmuş lidhur me sulmin e sotëm terrorist në qytetin Adana, deklaroi se Turqia do të vazhdojë luftën e vendosur kundër terrorizmit.
Kurtulmuş përmes rrjetit social Twitter u përqendrua në sulmin terrorist para kabinetit të prefektit në Adana. Ai me këtë rast e dënoi sulmin terrorist si dhe ata që mbështesin terrorizmin.
“Turqia, e cila është në shënjestër duke marrë parasysh se ka prishur lojërat dhe intrigat në rajon, nuk do të dorëzohet para terrorizmit dhe me vendosmëri do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit”, deklaroi Kurtulmuş.
Ai po ashtu dërgoi edhe mesazhe ngushëllimi deri te familjet e të vdekurve në sulmin, ndërsa të plagosurve u dëshiroi rikuperim të shpejtë.