Admir Fazlagikj
26 Mars 2016•Përditësim: 27 Mars 2016
SHKUP (АА) - Ministri i Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë, Abdilaqim Ademi po merr pjesë në Samitin Global për Arsim i cili mbahet më 26 dhe 27 mars në Stamboll. Në fjalimin e tij ministri i Arsimit dhe Shkencës nga Maqedonia theksoi se është i domosdoshëm që arsimi vazhdimisht të modernizohet dhe të reformohet, njoftuan nga Ministria e Arsimit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Sot, ndoshta më shpejt se asnjëherë, është e nevojshme të futen inovacione në arsim. Që të jemi në hap me zhvillimin e mendimit shkencor, ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës dhe si Qeveri e Republikës së Maqedonisë, vazhdimisht punojmë në modernizimin e arsimit edhe atë në të gjitha fushat, në arsimin fillor, të mesëm dhe arsimin e lartë. Reformat e futura në sistemin arsimor në vendin tonë i përgjigjen nevojave të tregut të punës, sepse sikur se çdo vend edhe ne kemi nevojë për arsim dhe kuadër profesional”, theksoi Ademi.
Ai para të pranishmëve foli për disa nga reformat të cilat janë bërë në arsim në Maqedoni. “Dua të theksoj se në vazhdim është përgatitja e Strategjisë së re gjatë periudhës 2016-2020, përmes së cilës do të përforcohen të gjitha kapacitetet në politikën edukative arsimore në vendin tonë. Arsimi cilësor mundëson ndërtimin e një shoqërie të bazuar në dituri dhe kontribuon që ky sistem të përshtatet me nevojat e nxënësve, shkollës, bashkësisë lokale, sektorit të biznesit dhe tërë rrethit shoqëror", theksoi Ademi.
Ministri duke u fokusuar në arsimin fillor, theksoi se nxënësit e shkollave fillore mësojnë sipas programit të Kembrixhit.
“Një nga reformat më të mëdha në arsimin fillor është futja e programit mësimor të përgatitur nga Qendra Ndërkombëtare për programe mësimore- Kembrixh, ofruesi më i madh botëror i programeve dhe kualifikimeve ndërkombëtare mësimore për fëmijët e moshës pesë deri në 19 vjet. Patjetër më duhet të theksoj se Maqedonia është vendi i parë në rajon i cili filloi me zbatimin e programeve mësimore të Kembrixhit. Së pari filloi zbatimi i programeve mësimore nga klasa e parë deri në të tretën, pastaj nga klasa e katërt deri në klasën e gjashtë ku nga viti i ardhshëm lënda e matematikës dhe lëndët nga lëmia e shkencave natyrore do të zbatohen në klasën e shtatë, tetë dhe klasën e nëntë. Hapi tjetër është zbatimi i programeve mësimore botërore të njohura nga lëmia e shkencave natyrore në arsimin e mesëm”, theksoi Ademi.
Arsimi i mesëm në Maqedoni është i obligueshëm, theksoi Ademi dhe shtoi se edhe në këtë fushë futen inovacione me qëllim që arsimi i mesëm të harmonizohet dhe të përshtatet sipas tregut evropian të punës.
Ministri i Arsimit i Maqedonisë gjithashtu u fokusua edhe në dy projektet kapitale të cilat janë të dedikuara për studentët - “Programi për pajisjen e laboratorëve të insitucioneve të larta arsimore dhe institucioneve shkencore publike” dhe “Përkthimi i 1000 titujve dhe librave profesional shkencor me të cilat mësohet në universitetet më të mira dhe më me renome në SHBA, ndërsa nga lëmia e drejtësisë në Francë dhe Gjermani”.