Agon Fehmiu
14 Janar 2016•Përditësim: 15 Janar 2016
MITROVICË (AA) – Me donacionin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës, gjatë ceremonisë së sotme është bërë shpërndarja e 50 makinave mjelëse dhe 150 bidonëve profesional për mbrojtjen dhe transportin e qumështit me kapacitet prej 30 litrave, për 50 familje fermerë të komunës së Mitrovicës, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillimisht, në sallën e kuvendit të komunës së Mitrovicës, fermerët kishin nënshkruar marrëveshjet individuale me Drejtorinë e Bujqësisë së Mitrovicës, për dorëzim–pranimin e makinave mjelëse dhe bidonëve, ndërkohë që të pranishmit i përshëndetën edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe koordinatorin e TIKA-së në Kosovë, Ejup Javuz Umutlu.
Më pas, gjithë së bashku shkuan tek vendi i shpërndarjes së pajisjeve të cilat, sipas fjalëve të fermerëve të cilëve iu dhuruan ato, janë shumë të rëndësishme dhe do t’iu ndihmojnë për të mbijetuar dhe ngritur cilësin dhe sasinë e prodhimit.
Gani Hasani, fermerë nga fshati Kqiq i Madh rrëfen se ka një fermë të vogël dhe duke u marr me blegtori, mundohet të mbajë gjallë familjen e tij, në mënyrë që ajo të mos hyjë në skemë sociale të komunës.
“Kjo ndihmë për mua ka shumë domethënie. E para është që të më ndihmoj të ndërpres mjeljen e lopëve me dorë. Tash e kam makinën që ma kanë dhënë TIKA në bashkëpunim me drejtorinë tonë të Bujqësisë. I falënderoj të dy palët dhe jam shumë mirënjohës që na kanë mundësuar ti marrim dhe ti shfrytëzojmë për të mirën tonë, për të mirën e familjes tonë”, tha fermeri mitrovicas, Gani Hasani.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri u shpreh shumë mirënjohës dhe e falënderoj popullin turk për ndihmën që e ka dhënë për Kosovën, para dhe gjatë luftës, në veçanti që po vazhdon të përkrah dhe ndihmoj shtet-ndërtimin e Kosovës, pas luftës dhe shpalljes së pavarësisë. Kryetari Bahtiri shprehu falënderim të veçantë për koordinatorin e TIKA-së në Kosovë, Ejup Javuz Umutlu i cili po ndihmon shumë, jo vetëm Mitrovicën por gjithë Kosovën, me projekte konkrete.
“Ky falënderim është i gjithë qytetarëve të Mitrovicës por edhe unë po them i gjithë Kosovës për arsye se ne jemi të një gjaku, jemi popuj që kemi tradita të njëjta dhe njihemi si vëllezër me turqit dhe kjo po dëshmohet në ndihmën që po e japin, pa kufi, për ta zhvilluar këtë vend”, tha kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Koordinatori i TIKA-së në Kosovë, Ejup Javuz Umutlu theksoi se shteti i Turqisë dhe TIKA, kohëve të fundit është koncentruar që të përkrah projekte të cilat risin prodhimtarinë dhe krijojnë mundësi për punësim, problem ky i cili e mundon goxha shumë Kosovën dhe në veçanti komunën e Mitrovicës.
“Në këtë aspekt, komuna e Mitrovicës në aspektin politik ka një rëndësi të veçantë ngase është një nga komunat më të ndjeshme në Kosovë. Këtu projektet e prodhimtarisë dhe punësimit kanë kuptim dhe rëndësi tërësisht tjetër sepse papunësia është një problem i madh”, tha Umtulu.
Lidhur me shpërndarjen e 50 makinave mjelëse dhe 150 bidonëve profesional për mbrojtjen dhe transportin e qumështit me kapacitet prej 30 litrave, Ejup Javuz Umutlu tha se, TIKA me përkrahjen e saj synon t’i ndihmojë prodhuesit e qumështit për ta rritur kapacitetin e prodhimit dhe që bartja e qumështit të grumbulluar të bëhet në mënyrë sa më profesionale dhe higjienike.
“Sot, 50 familjeve do t’iu shpërndajmë pajisje, makina për mjeljen e qumështit, si dhe bidonët profesional për bartjen e qumështit. Gjatë takimit me udhëheqësit komunal, ata na kanë thënë se kjo është ndihmë e rëndësishme dhe kjo mund të jetë një bazë e mirë për hapjen e një fabrike të qumështit në të ardhmen e afërt”, tha Ejupi.
Ai shprehu kënaqësinë që me këtë përkrahje, TIKA po kontribuon në zvogëlimin e papunësisë, në veçanti në komunën e Mitrovicës e cila përveç problemeve të mëdha politike, ballafaqohet edhe me nivel jashtëzakonisht të lartë të papunësisë dhe mungesë të zhvillimit ekonomik.