Gorana Jakovljevic
20 Maj 2017•Përditësim: 21 Maj 2017
BANJA LLUKË (AA) - Në saje të nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Qeverisë së Federatës Ruse për çështjen e borxhit, në javët e ardhshme BeH-së do t'i arrijnë 125 milionë dollarë, tha ministri i Jashtëm i BeH-së, Igor Crnadak, raporton Anadolu Agency.
Crnadak në një konferencë shtypi në Banja Llukë foli për takimin e tij të katërt me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.
"Kemi mbështetjen më të fuqishme të mundur ndaj marrëveshjes së Dejtonit. Rusia respekton aspiratat tona për anëtarësim në BE dhe konsensusin tonë rreth kësaj. Ashtu siç njeh dhe vlerëson dëshirën tonë që paralelisht të vazhdojmë zhvillimin e marrëdhënieve me Rusinë", ka thënë Crnadak.
Ai shtoi se në veçanti falënderon Lavrovin për nënshkrimin e marrëveshjes për pastrimin e borxhit, duke deklaruar se i vinte keq që, Milorad Dodik, president i Republikës Sërpska (RS), është duke u përpjekur që meritat për këtë t'ia faturoj vetes.
"Kur këto para të vijnë në RS, do të shihet se sa të marra janë deklaratat në lidhje me faktin se përfaqësuesit serbë në Sarajevë pengojnë ardhjen e parave në RS", tha Crnadak.
Duke komentuar deklaratat e fundit të Dodikut, ai tha se për RS është e rëndësishme që në periudhën e ardhshme të ulen tensionet dhe i bëri thirrje presidentit të Republikës Sërpska për të "ulur topin" dhe të mos "bëhet kapak për çdo tenxhere".
Duke iu përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në lidhje me pretendimet për bisedime rreth referendumit për shkëputjen e RS-së, ai tha se me Lavrov nuk kanë biseduar për këtë temë, por se kanë biseduar për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.
"Ne biseduam në lidhje me nevojën për vazhdimin e reformave dhe luftën për jetë më të mirë dhe se kjo do të arrihet me forcimin e bashkëpunimit dypalësh", theksoi Crnadak dhe shtoi se nuk ka fituar përshtypjen se ekziston një shqetësim i madh, por se ka interes për situatën në BeH.