Ivana Ramadanova
01 Janar 2018•Përditësim: 01 Janar 2018
SHKUP (AA) - Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov së bashku me ministrat Venko Filipçe dhe Mila Carovska, sot ishin për vizitë në Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, ku ka lindur foshnja e parë në vitin 2018, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Klinika për Gjinekologji në Shkup informojnë se foshnja e parë ka lindur një minutë pas mesnate dhe është fëmija i dytë i nënës Borjana Radevska nga Shkupi.
Siç njoftoi drejtoresha Adela Pop Stefanija, në Klinikën për Gjinekologji kanë lindur gjithsej 10 foshnja.
"Vitin e Ri e kemi filluar me një foshnjë të gjinisë femërore, në gjendje të shëndetshme, e drejtë, e lindur në mënyrë spontane me peshë prej 3 kilogramë e 70 gram dhe e gjatë 49 centimetra. Le të jetë edhe ky vit i begattë siç e filluam me një foshnje femër. Të harrojmë të këqijat dhe të mendojmë vetëm për të ardhmen me momente të mira", tha drejtoriesha Adela Pop Stefanija.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në deklaratën e tij për mediat tha se prindërve ua ka uruar fëmijën e dytë në familje duke i dëshiruar rritje të shëndetshme dhe duke dëshiruar se do t'i ftojnë në ditëlindjen e parë.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Carovska theksoi se ministria përgjegjëse së bashku me qeverinë kujdeset për të gjithë fëmijët në shtet.
"Me të vërtetë ndjehem e kënaqur që pata rastin të gjithë së bashku të ndajmë gëzimin ,pasurinë e cila dukshëm reflekton nga sytë e nënës dhe babait. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se ne si ministri dhe qeveri kujdesemi për të gjithë fëmijët në shtet", ka thënë Carovska.
Ajo njoftoi se në të ardhmen ata do të punojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit parashkollor.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Peter Shilegov tha se tradicionalisht foshnjës së posalindur, Teodorës së vogël i dhuruan librezë kursimi në vlerë prej 20 mijë denarë.