Bojana Stojanovic
14 Shkurt 2018•Përditësim: 15 Shkurt 2018
BEOGRAD (AA) - Gjermania është partner i besueshëm i Serbisë në rrugën e saj evropiane dhe vetëm zëri i përbashkët evropian, në të cilën bën pjesë edhe Serbia, mund të dëgjohet në një botë e cila po ndryshon, u dakorduan sot zëvendës kancelari dhe ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç në Beograd, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne duam në vitet që vijnë edhe më shumë të lidhemi, sepse bota po ndryshon dhe në qoftë se duam që zëri ynë të dëgjohet, atëherë duhet të jemi të bashkuar, zëri evropian, kurse Serbia i takon Evropës", tha Gabriel në konferencën e përbashkët për media me Vuçiçin.
Ndaj kësaj Vuçiç reagoi duke thënë se edhe pse për Gjermaninë viti 2025 si afat kornizë për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian nuk është Libër i Shenjtë, Serbia dëshiron që ajo të ndodhë në atë kohë, të cilën Gabriel e përshëndeti duke theksuar se Gjermania e mbështet Serbinë në këtë rrugë.
"Nuk duhet të presim deri në vitin 2025 ose më vonë, por tani duhet të punojmë për atë që njerëzit e zakonshëm në jetën e përditshme të ndjehen se ia vlen të hyhet në Evropë", theksoi zëvendëskancelari gjerman.
Sipas Gabriel, BE-ja është një shembull se edhe nga konfliktet dhe luftërat më të mëdha mund të lindë partneriteti dhe miqësia.
"Serbia ka një rol kyç në Ballkan. Nuk mundet vetëm Serbia të stabilizojë rajonin, por pa të nuk ka stabilitet në rajon" shtoi ai.
Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, që të dy u pajtuan se pala serbe është e interesuar për zgjidhje, por se ajo duhet të bëhet për qytetarët dhe jo për shkak se kjo kërkohet nga BE-ja.
Presidenti i Serbisë, Vuçiç ka thënë se shkëmbimi tregtar në vitin 2017 mes Serbisë dhe Gjermanisë arriti në 4.4 miliardë euro, duke e bërë atë partnerin më të rëndësishëm si dhe punësimin e 37 mijë qytetarëve të Serbisë në kompanitë gjermane.
I pyetur nëse kishte biseduar me Gabriel për vizitën në Kroaci, Vuçiç tha se është biseduar, dhe se kanë sjellë një vendim me Qeverinë e Serbisë që në 100 ditët e ardhshme të mos thuhet asnjë fjalë e keqe për Kroacinë.
"Ne do të bëjmë gjithçka, pastaj i mbetet BE-së dhe Kroacisë të bëjnë të njëjtën gjë për serbët në Kroaci", shtoi ai.
Zëvendëskancelari i Gjermanisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel i cili po qëndron për një vizitë në Serbi, do të takohen edhe me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç.