Sibel Vezaj
21 Nëntor 2016•Përditësim: 22 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Me qëllim të ofrimit të ndihmës për përmirësimin e cilësisë së shkollimit në gjuhën serbe, rritjes së përfaqësimit të komunitetit të minoriteteve në institucionet e Kosovës dhe përmbylljes së dialogut ekzistues në mes të Kosovës dhe Serbisë, sot në Prishtinë u organizua një konferencë lansuese me temën “Mbështetja e shkollimit në gjuhën serbe në Kosovë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë këtij lansimi u diskutua për temat si procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës veriore, hulumtimi mbi gjendjen aktuale, zhvillimi i një udhërrëfyesi nga MASHT dhe trajnimi direkt i Universitetit të Mitrovicës Veriore dhe stafit të tij mësimdhënës.
Ky projekt financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën norvegjeze në Kosovë dhe përfshin aktorë të ndryshëm duke përfshirë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Universitetin e Mitrovicës Veriore dhe shkollat në Kosovë të cilat operojnë në gjuhën serbe.
Që nga themelimi i Komisionit të Pavarur në maj 2016, Komisioni ka verifikuar 107 certifikata në total, kurse janë 28 kopje të diplomave në pritje për vërtetim në Universitetin e Mitrovicës Veriore ndërsa në total janë mbi 120 aplikacione në pritje të cilat gjenden në faza të ndryshme.
Gjatë fjalimit të tij, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami shprehu se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme, e cila tregon përkushtimin e Qeverisë në gjithpërfshirjen e komuniteteve në tregun e punës dhe në sistemin arsimor.
“Këta janë shtetas të Kosovës dhe po zhvillojmë politika proaktive për integrimin e plotë e të rinjve, të nxënësve dhe të studentëve të komunitetit serb brenda hapësirës së Kosovës. Ata duhet ta gjejnë prespektivën në Kosovë sepse Kosova është vendi i tyre dhe ata mund ta realizojnë qëllimin dhe karierën e tyre këtu. Që tani kemi shumë të punësuar, jo vetëm në administratën publike por edhe në biznese dhe ky është një hap shumë i duhur”, tha Bajrami.
Ai foli edhe për dialogun në Bruksel, përkatësisht për marrëveshjen rreth njohjes së diplomave, ku theksoi se edhe Serbia duhet ta ndjekë shembullin e Kosovës, duke vënë në dukje se ka shumë kosovarë të cilëve për shkak të paragjykimeve politike ende nuk i njihen diplomat e tyre.
Në anën tjetër, Ambasadori norvegjez në Kosovë, Strand Sjastaad shprehu se Kosova ka një popullsi të re, ku çdo vit një numër i madh i saj duhet të integrohet në jetë. Kjo, shtoi ai, kërkon angazhim të madh të Qeverisë së Kosovës.
"Është shumë esenciale në këtë proces dhënia e edukimit kualitativ për të gjitë komunitetet, duke zhdukur zbrazësirat që ekzistojnë. E njëjta ka të bëjë me mundësimin e rekretimit të sistemit në bazë të meritave dhe në bazë të kompetencave nga të gjithë”, tha Sjastaad.
Në fund të ceremonisë, ministri Bajrami bëri dorëzimin e çertifikatave për disa të diplomuar nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut. Njëri prej tyre ishte edhe Nebojssa Danccetovich një avokat nga komuna e Obiliqit, i cili shprehu bindjen se me diplomën dhe dijen e tij do të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë së Kosovës.
”Shpresoj që këto verifikime kanë mundësuar një qasje të barabartë në punësim, konkurim për provime profesionale dhe në vende të punës në institucione publike për të gjithë qytetarët”, tha ai.