Sibel Vezaj
15 Shkurt 2017•Përditësim: 15 Shkurt 2017
PRISHTINË (AA)- Me rastin e shënimit të 47-vjetorit të themelimit të Universitetit Publik të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, në rektoratin e këtij universiteti u organizua një ceremoni, ku u shënuan incidente. Gjatë kësaj ceremonie disa studentë të këtij universiteti protestuan duke ndërprerë fjalën e rektorit Marjan Dema, ndërsa nga zyrtarët e universitet pretendohet edhe për një letër kërcënuese, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia e cila parashihej të mbahej në Fakultetin Filologjik u mbajt në Rektoratin e këtij universiteti. Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti për AA konfirmoi se ky ndryshim ka ndodhur për shkak të një dyshimi ose letre për kërcënim në emër të DEASH-it. Ai theksoi se ende nuk ka informacione se sa serioz është ky kërcënim dhe sipas tij me këtë çështje po merret policia e Kosovës.
“Kemi gjetur një letër dje, në sallën në të cilën është paraparë të mbahej ceremonia e sotme. Në letër ishte shënimi 'Do të sulmojmë më datën 15 shkurt', saktësisht në kohën kur kemi parashikuar të mbajmë ceremoninë, me mbishkrimin e ISIS-it (DEASH)", tha Hoti.
Ndërkohë studentët patën edhe një përleshje me forcat e policisë në kampusin universitar, ku policia përdori edhe gaz lotsjellës. Disa prej studentëve u arrestuan, kurse kishte edhe të lënduar ku në kampus erdhi edhe auto-ambulanca.
Pas largimit të studentëve, Dema vazhdoi fjalimin e tij, i cili u shpreh se 47-vjetori i punës së UP-së duhet të shërbejë si moment që duke shikuar të kaluarën të kujtohet e ardhmja si institucion i arsimit të lartë i një brezi të veçantë në Kosovë.
“Universiteti i Prishtinës ishte jo vetëm një vatër e dijes, por në një formë e shtetndërtimit të Kosovës. Tani ai ka para vetes misionin e tij parësor, edukimin e qëndrueshëm dhe cilësor të gjeneratës së re në funksion të zhvillimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës", u shpreh Dema.
Kurse ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, theksoi se UP është një prej institucioneve më të rëndësishëm shtetërore në historinë e Republikës e Kosovës. “Secila ngjarje e rezistencës, e lirisë, e pavarësisë dhe shtetndërtimit ka nisur dhe është identifikuar me Universitetin e Prishtinës”, tha ai.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është institucioni më i madh i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës , duke arritur numrin prej 50 mijë studentësh, mbi një mijë pedagogë dhe 350 punonjës si staf administrativ dhe teknik. Ai u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969.