Sibel Vezaj
25 Dhjetor 2016•Përditësim: 25 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA)- Besimtarët të shumtë katolikë u mblodhën në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku u mbajt mesha kryesore dhe solemne e Krishtlindjeve në Kosovë, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji ftoi besimtarët të pendohen për fajet dhe mëkatet e tyre dhe u shpreh se në këndimin e kësaj kënge gëzimi dhe lavdie bashkangijten shumë njerëz vullnetmirë, që nuk janë pagëzuar por që e duan paqen mbi tokë, e duan Zotin, dhe dashurinë mes njerëzve.
Duke dhënë shembullin e Marisë, si shembull i dashurisë amënore dhe si model më të mirë për çdo grua dhe çdo nënë në botë, Ipeshkvi Gjergji u shpreh se po të mos ishin nënat e shenjta moti do të shuhej jeta.
Krishtlindjet Katolike njihen si festë zyrtare në Kosovë, ku të hënën do të jetë ditë pushimi. Krerët e lartë shtetërorë të Kosovës iu kanë uruar Festën e Krishtlindjeve të gjithë besimtarëve të fesë krishtere.
Ndërkohë mesha e krishtlindjeve është mbajtur edhe në Tiranë, ku besimtarët e krishterë janë mbledhur së bashku në meshën tradicionale. Kisha Katolike në Shqipëri ka njoftuar se këtë vit nuk do të organizojë pritje zyrtare, por do të ofrojë një drekë për personat e varfër.