Granit Osmani
15 Shkurt 2017•Përditësim: 15 Shkurt 2017
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani më 7 mars do të qëndrojë për vizitë në Bujanoc, me rastin e Ditës së Mësuesit, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë për AA e konfirmoi Shaip Kamberi kryetari i komunës së Bujanocit, i cili u shpreh se "vizita e presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani dje është konfirmuar nga kabineti i Presidentit dhe do të realizohet më 7 mars me rastin e Ditës së Mësuesit dhe do të shfrytëzohet për takime me përfaqësuesit politik dhe institucional të Luginës".
Lugina e Preshëvës është një rajon i populluar me shumicë shqiptare të cilët kryesisht jetojnë në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe një pjesë më e vogël në Medvegjë.
Kjo është vizita e parë e një Presidenti të Shqipërisë në këtë rajon, duke marrë parasysh vizitën kohë më parë të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili në nëntor të vitit 2014 vizitoi Luginën ku takoi zyrtarët politik dhe institucional të saj, si dhe me popullatën e këtij rajoni e cila kishte dalë në rrugë dhe sheshe për të mirëpritur kryeministrin shqiptar.
Gjatë qëndrimit të tij në Luginë, kryeminsitri Rama ua përcolli zyrtarëve dhe popullit marrëveshjet e arritura me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në lidhje me përmirësimin e kushteve të jetesës, punësimit dhe investimeve të mundshme në rajonin e Luginës.