Sibel Vezaj
24 Nëntor 2016•Përditësim: 24 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA)- Qytetarë të shumtë të Prishtinës sot morën pjesë në protestën e organizuar në qendër të qytetit, për të kërkuar drejtësi për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra qytetarë sot u mblodhën në sheshin “Skenderbeu”, përpara Teatrit Kombëtar, për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga shoqëria civile, ku në mes të protestuesve ishin edhe avokati dhe anëtarët e familjes Dehari. Ata kërkuan drejtësi për vdekjen e Deharit, me pankarta dhe brohoritje “Unë jam Astriti”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Lironi të burgosurit”.
Me këtë rast, Nurimshahe Demaliaj e cila ishte shoqja e të ndjerit Dehari u shpreh se drejtësia dhe zbardhja e rastit të vdekjes së Astritit do të thotë drejtësi për të gjithë. “Astriti nuk pushoi kurrë së kërkuari drejtësi dhe barazi për të gjithë ne, dhe edhe ne nuk do të pushojmë kurrë së kërkuari drejtësi për Astritin”, tha ajo.
Kurse përfaqësuesja e shoqërisë civile, Besa Luzha u shpreh se me këtë protestë kërkojnë hetim të pavarur me ekspertizë qoftë lokale e qoftë ndërkombëtarë, si dhe shkarkimin e përgjegjësve të institucioneve dhe të mekanizmave të cilët kanë pasur për detyrë ta sigurojnë jetën.
Protesta përfundoi në minutën e 26-të, ku u mbajt një minutë heshtje, për 26 vite të jetës së Astrit Deharit. Pas kësaj protestuesit marshuan drejt sheshit “Zahir Pajaziti” për të nënshkruan peticionin kur kërkohet drejtësi dhe hetim i pavarur për rastin e vdekjes së aktivistit Dehari, si dhe që parlamenti i Kosovës të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për këtë rast.
Ndërkaq në fund babai i Astritit, Avni Dehari theksoi se prokurorët dolën me një raport të ngutshëm, ende pa u kryer hetimet e ekspertëve të pavarur të mjekësisë ligjore
Astrit Dehari, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ishte arrestuar pas sulmit ndaj Parlamentit të Kosovës dhe vdiq përderisa ndodhej në paraburgim për 68 ditë në burgun e Prizrenit.