Figen Shaban
24 Maj 2018•Përditësim: 25 Maj 2018
PRISHTINË (AA) - Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka organizuar iftar në Prishtinë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku të ftuar ishin një numër i madh i personaliteteve politike e shoqërore të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, e cila po ashtu mori pjesë në sofrën e iftarit në fjalën e saj uroi që muaji i bekuar i Ramazanit t’i sjellë Turqisë, Kosovës, muslimanëve dhe gjithë njerëzimit paqen, lumturinë dhe prosperitetin.

Ajo theksoi se që nga viti 2004 kur TIKA ka filluar aktivitetet e saj në Kosovë ka realizuar mbi 600 projekte bashkëpunimi me një vlerë mbi 100 milion dollar, ku janë rinovuar dhe pajisur me pajisje moderne intitucione arsimore dhe shëndetësore.
Ndër të tjera, Kılıç tha se TIKA po ashtu ka realizuar mbi 150 projekte për të forcuar infrastrukturën e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, ku përveç kësaj fushe është ndihmuar edhe bujqësia, blegtoria, si dhe ka dhënë kontribut për ruajtjen e monumenteve historike.
Duke kujtuar masakrën e përjetuar në Gaza më 14 maj dhe luftërat të cilat po vazhdojnë edhe në këtë muaj, ku dominojnë muslimanët si në Palestinë, Siri dhe Irak, Kılıç tha se Turqia do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm i ndërgjegjës.
“TIKA në emër të vendit tonë ka bërë shumë punë, ku ka prekur jetën e popullit të Kosovës. Ne duke mos pasur asnjë interes, e vetmja dëshirë e jona është që dora të cilën e kemi zgjatur me miqësi dhe vëllazëri, me projektet dhe punimet tona, me dashurinë dhe respektin e popullit turk të ofrojmë kontributin tonë për Kosovën, popullin e Kosovës dhe për ardhmërinë e saj të zhvilluar”, tha Kılıç.
Ndërkaq, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj duke uruar muajin e Ramazanit të gjithë të pranishmëve në këtë ngjarje, tha se me këtë iftar të përbashkët i bashkohen çdo muslimani në botë që jeton sipas vlerave të fesë muslimane.

"Ky iftar është një lloj rikthimi në histori, sepse ne çdo herë e kemi mbajtur muajin e Ramazanit, jemi bashkuar në sofra të iftarit dhe vit pas viti e kemi kultivuar identitetin tonë. Ne krenohemi me kulturën, me identitetin tonë dhe me atë se kush jemi”, tha Hoxhaj, duke shtuar se ndjehen krenar se në Kosovën e pavarur kanë bashkëjetuar fe të ndryshme, shqiptar, turq, boshnjak, serb e të tjerë.
Në mesin e shumë të pranishmëve nga institucionet turke si koorinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, drejtori i Institutit Yunus Emre në Kosovë, Mehmet Ulker, në këtë iftar të pranishëm ishin edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yağcılar, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Luka, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, deputet të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe mediave të Kosovës.