Sibel Vezaj
29 Maj 2017•Përditësim: 30 Maj 2017
PRISHTINË (AA) - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) sot organizoi një tryezë diskutimi me temën "Zgjedhjet dhe përgjegjësia e mediave në këtë proces", ku u theksua rëndësia e respektimit të kodit etik në raportimin e fushatave zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që do të mbahen më 11 qershor, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i AKG-së, Shkëlqim Hysenaj theksoi nevojën e diskutimit për mënyrën e parandalimit të lajmeve jo të vërteta dhe bëri të ditur se qëllimi i kësaj tryeze është ngritja e profesionalizimit dhe të respektimit të kodit etik prej gazetarëve.
Kurse kryeredaktori i gaztës Koha Ditore Agron Bajrami theksoi se si asnjëherë më parë komuniteti medial ka hyrë në ekipet e partive dhe se është përfshirë drejtpërdrejtë në fushatën zgjedhore jo si vëzhgues por si pjesëmarrës i saj, sipas tij, si propagandues dhe avokues të politikave. “Edhe pse e kemi garantimin e lirisë së shprehjes, ne e kemi një përgjegjësi që atë liri të shprehjes të mos e keqpërdorim”, tha Bajrami.
Duke theksuar nevojën që mediat të kenë një kod etik të veçantë për raportim të fushatave zgjedhore dhe të marrëdhënieve me subjekte politike, Bajrami tha se së paku kjo të rezultojë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kurse Jeta Xharra, drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese për Kosovë, theksoi nevojën e daljes në debate publike të kandidatëve për kryeministër të partive në Kosovë. Sipas saj publiku dhe qytetarët dëshirojnë t'i dinë ofertat e tyre. Duke dhënë shembuj nga shtetet si SHBA-të e Franca, Xharra tha se asnjë vend në rajon në zgjedhjet e fundit nuk ka pranuar të dalë në debat me kandidatët për kryeministra.
Ndërkaq Laura Pula prokurore nga Prokuroria e Shtetit theksoi rëndësinë e mediave për informimin të drejtë dhe me burime të adresuara, që prokuroria të reagojë sa më shpejtë ndaj veprave penale në zgjedhje. Ajo po ashtu bëri të ditur se në ditën e zgjedhjeve 100 prokurorë kujdestarë së bashku me policinë dhe hetuesit e policisë së Kosovës do të jenë online për të reaguar ndaj informacioneve të marra.