Sanja Janackovic
31 Janar 2017•Përditësim: 01 Shkurt 2017
BEOGRAD (AA) – Për të përforcuar lidhjet miqësore, kryeministrat e Serbisë dhe Greqisë, Aleksandar Vuçiç dhe Alexis Tsipras në takimin në Beograd janë dakorduar për formimin e Këshillit të Lartë dhe mbajtjen e seancës së përbashkët në pranverë në Selanik, raporton Anadolu Agency (AA).
Vuçiç pas bisedimeve, të cilat sipas tij, kane qenë “të gjata dhe serioze”, tha se me homologun grek kanë diskutuar tre tema kyçe, konkretisht për bashkëpunimin ekonomik, përforcimin e lidhjeve të ndërsjella dhe stabilitetin rajonal.
Ai theksoi se shkëmbimi tregtar mes Serbisë dhe Greqisë arrin 377 milionë euro në vitin 2016, duke mos llogaritur muajin dhjetor. “Biseduam edhe për stabilitetin rajonal dhe mbështesim pjesëmarrjen e Greqisë në procesin e Berlinit. Konsiderojmë se Greqia është një nga vendet kyçe në Ballkan. E falënderojmë për faktin se nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç.
Gjithashtu është shtuar se ndonëse marrëdhëniet mes dy shteteve janë të mira, “nuk janë mësuar që shtatë vite të mos ketë takim në nivel kryeministrash” për çka u dakordua që të mbahet një seancë e përbashkët e qeverisë.
“Këshilli i Lartë në Selanik do të mbajë mbledhje tashmë në pranverë, ndërsa mundësia e bashkëpunimit është në sferën e infrastrukturës, energjetikës dhe teknologjisë së lartë. Planifikojmë edhe lidhje hekurudhore Beograd-Selanik, për të afruar dy vendet dhe të bëjmë rrjet bashkëkohor hekurudhor”, tha Tsipras.
Të dy kryeministrat theksuan miqësinë mes dy vendeve. “Mbështes dëshirën e Serbisë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, tha Tsipras.