Furkan Abdula
09 Shkurt 2023•Përditësim: 10 Shkurt 2023
Përbërja shtesë e ushtrisë prej 36 pjesëtarësh të Batalionit të Forcave Speciale të Armatës së Maqedonisë së Veriut, të trajnuar për kërkim dhe shpëtim në rrënoja, sot në orët e mëngjesit nga kazerma “Ilinden” në Shkup është nisur për në Türkiye, ku do të marrin pjesë në operacion humanitar në zonat më të prekura nga tërmetet katastrofike, raporton Anadolu.
Lajmi është konfirmuar përmes një komunikate për media nga Shtabi i Përgjithshëm i Armatës së Maqedonisë së Veriut.
Në përcjelljen e ekipit shtesë të Armatës i pranishëm ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant kolonel Vasko Gjurçinovski, i cili u bëri thirrje pjesëtarëve që të ofrojnë të gjithë potencialin dhe stërvitjen e tyre në mënyrë sa më profesionale dhe të ndihmojnë qytetarët e Türkiye-s aleate.
Ekipi i ushtrisë është dërguar pas vendimit të Qeverisë për dërgimin e ndihmës shtesë me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë, bëhet e ditur se ekipi i parë i armatës, i vendosur në qytetin e Kahramanmaraş, është i angazhuar vazhdimisht në kërkime në terren, duke gjetur dhe nxjerrë të mbijetuarit e mundshëm, të cilët ndodhen në rrënojat e shkaktuara nga tërmetet katastrofike.