Stipe Majic
16 Mars 2020•Përditësim: 17 Mars 2020
Shtabi i Mbrojtjes Civile i Republikës së Kroacisë ka raportuar se shtatë pacientë të rinj me koronavirus janë diagnostikuar në Kroaci që prej ditës së djeshme, ndërsa tre raste janë kuruar edhe gjenden nën kujdesin shtëpiak. Qarkullimi i autokolonës së kamionëve të mallrave drejt vendeve fqinje është nën mbikëqyrjen e policisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Beros, tha se sot ka shtatë pacientë të rinj të zbuluar pozitivisht në Kroaci, që përbëjnë gjithsej 56 të sëmurë. Duke marrë parasysh se tre pacientët e parë kanë përfunduar fazën e parë të trajtimit dhe janë larguar për kujdes shtëpiak, është e mundur të flitet për numrin e 53 personave të sëmurë.
"Nga shtatë rastet e reja, një është nga Rijeka, një nga Karlovac dhe pesë janë nga Zagrebi, ndërsa njëri prej tyre është një mjek nga KBC Rebro i cili ishte shoqëruar me njerëzit që u kthyen nga skijimi", tha Beros.
Janë realizuar 835 testime, 15 prej të cilave janë ende duke u përpunuar, ndërsa, sipas të dhënave të djeshme, 8.464 shtetas kroatë janë nën mbikëqyrje, dhe kjo shifër pritet të rritet sot. Janë 290 persona që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me të infektuarit, ndërsa Shtabi vlerësoi se sot, me shtatë rastet e reja, ky numër do të rritet në rreth 500.