Fatjon Cuka
16 Mars 2020•Përditësim: 17 Mars 2020
Në Shqipëri është rritur në 51 numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), me konfirmimin edhe të 9 rasteve të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë 24 orëve të fundit janë testuar dhjetëra raste të reja, ndërsa në mesin e të infektuarve ka edhe nga personeli shëndetësor.
"Në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 51 raste", thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në njoftimin thuhet më tej se kanë dalë pozitiv edhe 4 raste personel shëndetësor (një mjek dhe 3 infermierë) të cilët kanë qenë në kontakt me një nga pacientët e infektuar.
Nga rastet e konfirmuara pozitiv 34 janë në Tiranë, 5 në Durrës (njëra ka ndërruar jetë), 6 në Fier dhe nga 2 raste në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë.
Kujtojmë se një 73-vjeçare humbi jetën më 11 mars në Shqipëri, e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri, duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19.
- Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri
Në kuadër të masave shtesë kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), në Shqipëri do të kufizohet edhe lëvizja e qytetarëve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale ka njoftuar se "Duke nisur nga sot, çdo ditë në vijim pas orës 18:00 do të ndalohet edhe lëvizja në këmbë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nga nesër me urdhër të ministres së Shëndetësisë do të hyjnë në fuqi gjoba edhe për këmbësorët pas orës 18:00 dhe në çdo orë të ditës për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera të hapura".
Rama gjithashtu ka njoftuar se po përgatiten për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia.
Më herët është vendosur që të gjitha hyrjet tokësore në Shqipëri nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia të mbyllen për të gjithë udhëtarët me autobus, mikrobus apo veturë, ndërsa kufiri tokësor do të qëndrojë i hapur vetëm për transportin e mallrave.
Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas, ndërsa ky vendim prek vetëm transportin e pasagjerëve, si dhe do të ndalohen të gjitha fluturimet për dhe nga Britania e Madhe.
Pjesë e masave të njoftuara më parë është edhe pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, mbyllja e lokaleve dhe restoranteve në gjithë vendin. Pas këtyre masave rrugët e Tiranës janë të boshatisura, ndërsa shumica e bizneseve janë të mbyllura.
Kujtojmë se pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në rreth 150 vende dhe territore, duke shkaktuar mijëra të vdekur. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.