Abdula Berisha
11 Shtator 2023•Përditësim: 11 Shtator 2023
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, priti në Shkup presidentët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brijuni, raporton Anadolu.
Në takim marrin pjesë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë në rolin e bashkorganizatorëve.
Në fokusin e takimit të sivjetshëm janë integrimet evropiane, ndryshimet klimatike dhe shpërngulja e të rinjve.
Procesi Bërdo-Brijuni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativë të përbashkët të presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë, në Bërdo afër Kranjit.
Qëllimi kryesor i këtij procesi është integrimi i tërësishëm i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i gjendjes në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.
Liderët e vendeve të Procesit Bërdo-Brijuni takohen të paktën njëherë në vit.